SPAK drejt urdhër-arresteve për kupolën e Policisë së Shtetit
Për rrëmbimin e ish-zyrtarit të AKSHI-t

Dosja e Prokurorisë së Posaçme për Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) po zgjerohet me ritme të përshpejtuara dhe po nxjerr në dritë episode tronditëse që implikojnë struktura të larta shtetërore.
Burime të besueshme konfirmojnë se SPAK pritet të lëshojë në orët dhe ditët në vijim urdhër-arreste për disa drejtues të lartë të Policisë së Shtetit, të dyshuar për përfshirje në skema pengmarrjeje, intimidimi dhe mbulimi kriminal.
Sipas të dhënave hetimore, drejtues të policisë nuk dyshohet të jenë përfshirë vetëm në rrëmbimin e biznesmenit Gerond Meçe, por edhe në një tjetër rast të rëndë: pengmarrjen e ish-zëvendësdrejtorit të AKSHI-t, Daniel Shima.
Çfarë ndodhi më 20 gusht?
Daniel Shima u raportua i zhdukur më 20 gusht. Ai u rikthye në banesën e tij vetëm një ditë më pas, në orët e vona të natës. Në atë kohë, Policia e Shtetit deklaroi zyrtarisht se Shima ishte larguar me dëshirë, ndërsa vetë ai kishte pohuar në mënyrë informale se kishte qenë në Dhërmi.
Zhdukja u denoncua nga familjarët pasditen e 20 gushtit, fillimisht nga e dashura e 34-vjeçarit, e cila njoftoi nënën e tij. Ajo deklaroi se rreth orës 13:30, Daniel Shima i kishte dërguar një mesazh ku shkruante:
“Po më arreston policia.”
Pas këtij mesazhi alarmues, partnerja e tij kontaktoi policinë, por u informua se Shima nuk rezultonte i arrestuar apo i shoqëruar zyrtarisht. Vetëm atëherë familjarët e denoncuan zhdukjen.
Skemë identike me rrëmbimin e Gerond Meçes
Hetimet e SPAK kanë zbuluar se Daniel Shima nuk ishte larguar me dëshirë. Përkundrazi, ndaj tij është përdorur e njëjta skemë rrëmbimi si në rastin e biznesmenit Gerond Meçe.
Ai dyshohet se është marrë peng nga persona të veshur me uniforma policie, është transportuar jashtë Tiranës dhe është mbajtur nën kërcënim dhe dhunë në rrethinat e Elbasanit.
Burime pranë hetimit bëjnë me dije se drejtues të lartë të Policisë së Shtetit kanë pasur dijeni për këtë pengmarrje. Ende nuk është e qartë nëse përfshirja e tyre ka qenë direkte apo përmes mbulimit institucional, por SPAK dyshon se disa prej tyre kanë luajtur rol aktiv në këtë ngjarje.
Për këtë arsye, gjatë ditës së sotme, agjentë të Byrosë Kombëtare të Hetimit, me urdhër të SPAK, kanë ushtruar kontrolle në banesat e disa drejtuesve të Policisë së Shtetit. Sipas burimeve, urdhër-arrestet priten në vijim.
Denoncimi publik i Berishës
Rasti i Daniel Shimës është denoncuar publikisht edhe nga kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i cili e ka cilësuar AKSHI-n si një institucion me “histori hollywoodiane”.
Berisha deklaroi se Shima është marrë peng për shkak se kishte dijeni për veprimtari të paligjshme brenda institucionit dhe se fillimisht kishte ekzistuar urdhër për eliminimin fizik të tij.
Sipas Berishës, vetëm fakti që Shima kishte arritur të dërgonte mesazhe alarmuese familjarëve, e detyroi grupin kriminal të ndryshonte planin, duke kaluar nga vrasja në dhunë brutale fizike.
Ai shtoi se në dosjen e AKSHI-t ekziston një rreth i rrezikshëm biznesmenësh dhe zyrtarësh që bashkëpunojnë me struktura kriminale, ndërsa disa prej personave të përfshirë ndodhen jashtë vendit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



