SPAK DUHET TË HETOJË KRIMIN MBI TERRITORIN
Ka ardhur koha që SPAK të mos shohë vetëm tenderin, faturën, inceneratorin apo një valixhe me para. Duhet të shohë hartën e Shqipërisë.
Sepse aty mund të jetë skena e krimit më të madh të këtyre 14 viteve: shkatërrimi sistematik i territorit shqiptar për të krijuar hapësirën ekonomike ku pastrohen miliarda euro me origjinë kriminale.
Nga njëra anë janë paratë e krimit në sektorin publik: paratë e taksapaguesve të vjedhura përmes korrupsionit, tenderëve, koncesioneve, PPP-ve, investimeve publike të fryra dhe favoreve shtetërore.
Nga ana tjetër janë paratë e krimit privat: kapitalet që burojnë nga droga, trafiku dhe ekonomia kriminale, të cilave u duhet beton, tokë, kulla, resorte dhe prona për t’u transformuar në pasuri të ligjshme.
Dhe në mes qëndron territori shqiptar.
Prandaj hetimi nuk duhet të ndalet te pallati. Duhet të ndjekë zinxhirin: kush ndryshoi planin, kush ndryshoi destinacionin e tokës, kush dha lejen, kush mori vendimin, kush përfitoi pronën, kush financoi ndërtimin dhe cili ishte burimi real i kapitalit.
Sepse kur ndërtohen miliarda në një ekonomi që nuk i prodhon dot bindshëm këto miliarda, pyetja nuk është më urbanistike.
Është penale.
SPAK duhet të hetojë territorin si skenë krimi.
Jo vetëm pemët që janë prerë, bregdetin që është betonizuar apo qytetet që janë deformuar.
Por mekanizmin shtetëror që mundësoi që paraja e vjedhur dhe paraja kriminale të takoheshin te metri katror.
Aty duhet kërkuar historia e vërtetë e Shqipërisë së betonit.
Ndiqni territorin. Ndiqni lejet. Ndiqni pronën. Dhe, mbi të gjitha, ndiqni paratë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



