SPAK i zbarkoi në Ministri teksa ambasadori amerikan takohej me Ermal Raketën
Agjentë të Byrosë Kombëtare të Hetimit, nën drejtimin e prokurorëve të SPAK, raportohet se kanë zhvilluar këtë të premte kontrolle në disa ambiente private, si edhe në Ministrinë e Mbrojtjes.
Kontrollet lidhen me hetimet për përgjimin e bërë publik disa javë më parë nga Arben Ahmetaj, material në të cilin ngrihen dyshime dhe pretendime për një skemë të trafikut të armëve nga Shqipëria.
Lëvizja e hetuesve në Ministrinë e Mbrojtjes vjen në një moment të veçantë, pasi pikërisht në mesditën e sotme, në ambientet e ministrisë, ministri Ermal Nufi ka pritur ambasadorin e ri të Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, ish-gjeneralin amerikan Eric Wendt.
Takimi diplomatik ka ndodhur ndërkohë që në institucion raportohet se po zhvilloheshin kontrollet e lidhura me hetimin e SPAK.
Përmes një reagimi publik pas takimit, ministri Nufi ka vënë theksin te marrëdhëniet strategjike mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, duke e cilësuar Uashingtonin si një partner kyç në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.
Nufi ka nënvizuar rëndësinë e pozicionit gjeografik të Shqipërisë dhe kapaciteteve të vendit në kuadër të angazhimeve të NATO-s, duke përmendur Korridorin VIII, Porto Romanon, Bazën Ajrore të Kuçovës dhe kapacitetet e Mbështetjes së Vendit Pritës.
Në fokusin e deklaratës së ministrit kanë qenë gjithashtu angazhimet shqiptare në mbështetje të Ukrainës, pjesëmarrja në KFOR dhe kontributet në nisma të ndryshme shumëkombëshe të sigurisë.
Ai ka përmendur edhe vendimin e Shqipërisë për të marrë pjesë në Forcën Ndërkombëtare të Stabilizimit në Gaza, duke e paraqitur këtë si pjesë të rolit që vendi synon të luajë në çështjet e sigurisë ndërkombëtare.
Ndërkohë, mbetet e paqartë nëse takimi mes Nufit dhe Wendt ka qenë i parashikuar apo i koordinuar me zhvillimet që po ndodhnin paralelisht në kuadër të hetimit të SPAK.
Burime nga Ministria e Mbrojtjes bëjnë me dije se takimi mes ministrit Ermal Nufi dhe ambasadorit amerikan Eric Wendt ka zgjatur më shumë se një orë e gjysmë dhe është zhvilluar në një atmosferë pozitive.
Për momentin, nuk ka të dhëna publike që të lidhin drejtpërdrejt takimin diplomatik me kontrollet e kryera nga BKH dhe SPAK. Megjithatë, fakti që të dyja ngjarjet kanë ndodhur në të njëjtën kohë në Ministrinë e Mbrojtjes i jep zhvillimit një interes të veçantë, në një kohë kur hetimi për përgjimin e bërë publik nga Arben Ahmetaj mbetet në vëmendjen e autoriteteve.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



