E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
SPAK ia konfirmon KQZ-së, Hajdari i Kuçovës është i dënuar
Lajme

SPAK ia konfirmon KQZ-së, Hajdari i Kuçovës është i dënuar

Një zhvillim i ri me peshë juridike dhe politike ka dalë në dritë lidhur me drejtimin e Bashkisë së Kuçovës. Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) i ka përcjellë zyrtarisht Komisionit Qendror të Zgjedhjeve konfirmimin e një vendimi të formës së prerë ndaj kryebashkiakut Kreshnik Hajdari, duke hapur rrugën për shqyrtimin e mandatit të tij.

Në shkresën zyrtare të protokolluar në maj 2026, SPAK bën me dije se Hajdari është shpallur fajtor për falsifikim formularësh, një vepër penale që lidhet drejtpërdrejt me deklarimet zyrtare dhe integritetin e figurës së zyrtarëve publikë.

Sipas dokumentacionit të referuar, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin nr. 06, datë 25 janar 2024, e ka deklaruar fajtor Hajdarin për “falsifikim të vulave, stampave ose formularëve”, duke e dënuar fillimisht me 9 muaj burg. Për shkak të procedurës së gjykimit të shkurtuar, dënimi u reduktua në 6 muaj dhe më pas u pezullua, duke u zëvendësuar me shërbim prove.

E rëndësishme në këtë rast është se vendimi ka marrë formë të prerë më 5 korrik 2024, çka sipas legjislacionit në fuqi mbi dekriminalizimin, mund të sjellë pasoja direkte për vlefshmërinë e mandatit të tij në krye të bashkisë.

Ky zhvillim vjen pas një përplasjeje të gjatë ligjore dhe politike, e nxitur nga rivali i tij në zgjedhjet vendore, Lefter Maliqi. Ky i fundit ka ngritur vazhdimisht akuza se Hajdari ka fshehur një dënim të mëparshëm në Greqi për kalim të paligjshëm të kufirit, i cili nuk ishte deklaruar në formularin e vetëdeklarimit, duke shkelur kështu ligjin e dekriminalizimit.

Sipas Maliqit, kjo situatë e bën të pavlefshëm mandatin e fituar dhe kërkon përsëritjen e zgjedhjeve në Kuçovë. Ai ka denoncuar gjithashtu vonesa nga institucionet përkatëse në zbatimin e ligjit, duke e cilësuar këtë si një tolerim të paligjshmërisë.

Tashmë, me konfirmimin zyrtar të SPAK, vendimmarrja i kalon Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi. Ky i fundit pritet të thërrasë një seancë për të shqyrtuar nëse mandati i Hajdarit duhet të ndërpritet përpara afatit, në përputhje me kuadrin ligjor në fuqi.

Vendimi që do të merret nga KQZ pritet të jetë përcaktues jo vetëm për fatin politik të kryebashkiakut, por edhe për mënyrën se si do të zbatohet në praktikë ligji i dekriminalizimit në raste të ngjashme në të ardhmen.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.