E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
SPAK kërkon 27 dëshmitarë ndaj kryebashkiakut Kristian Shkreli
Lajme

SPAK kërkon 27 dëshmitarë ndaj kryebashkiakut Kristian Shkreli

Procesi gjyqësor ndaj kryebashkiakut socialist të Vaut të Dejës, Kristian Shkreli, po zhvillohet në Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ku ai përballet me akuza për korrupsion zgjedhor.

SPAK ka kërkuar thirrjen në gjyq të 27 dëshmitarëve, të cilët janë marrë më herët në pyetje gjatë fazës së hetimeve paraprake. Sipas organit të akuzës, hetimet nisën pas një materiali të referuar nga Policia e Shtetit dhe një kallëzimi të bërë nga një punonjës i bashkisë, të cilat u bashkuan në një procedim të vetëm penal.

Prokurori i çështjes, Dritan Prençi, deklaroi se gjatë hetimeve janë përdorur metoda speciale, përfshirë përgjime telefonike dhe vëzhgime. Sipas SPAK, Shkreli dyshohet se u ka premtuar banorëve të fshatit Stajkë investime për rregullimin e linjës së energjisë elektrike në këmbim të votës për Partia Socialdemokrate.

Hetimet kanë nisur më 20 mars, rreth një muaj përpara zgjedhjeve parlamentare të 11 majit 2025, duke e kthyer çështjen në një nga dosjet më të ndjeshme për korrupsion zgjedhor në nivel vendor.

Nga ana tjetër, mbrojtja e kryebashkiakut ka kundërshtuar fuqishëm akuzat. Avokatja Rovena Gashi deklaroi se në të gjitha materialet hetimore, që përfshijnë rreth 500 faqe përgjime dhe komunikime, nuk rezulton asnjë provë që implikon drejtpërdrejt Shkrelin në kryerjen e një vepre penale.

Sipas saj, kryebashkiaku është kontaktuar nga vetë banorët e fshatit Stajkë pas dëmtimit të linjës së energjisë nga reshjet e shumta të shiut, ndërsa ankesa është depozituar nga qytetarët në portalin e bashkëqeverisjes. Ajo shtoi se procedura për riparimin e shtyllave elektrike është hapur nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë dhe nuk bëhet fjalë për një investim të ri, por për një ndërhyrje teknike.

Mbrojtja thekson se roli i kryebashkiakut ka qenë vetëm përcjellja e shqetësimit të banorëve te strukturat përkatëse dhe se në asnjë moment nuk është kërkuar votë për ndonjë subjekt politik.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.