SPAK kërkon arrestimin e Ballukut, mblidhet sot Këshilli i Mandateve
Këshilli i Mandateve pritet të mblidhet sot për të shqyrtuar kërkesën e Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) për heqjen e imunitetit të zv/kryeministres Belinda Balluku, në një nga zhvillimet më të forta politike dhe juridike të muajve të fundit.
Vendimi për mbledhjen e Këshillit erdhi pak ditë pasi Komisioni Evropian i kërkoi Kuvendit të Shqipërisë që të trajtojë pa vonesa kërkesën e Prokurorisë së Posaçme, duke theksuar rëndësinë e respektimit të parimit të barazisë para ligjit dhe funksionimit të pavarur të institucioneve të drejtësisë.
Nëse Kuvendi voton për heqjen e imunitetit, kjo do t’i hapë rrugë zbatimit të masave të mundshme shtrënguese ndaj Ballukut, përfshirë arrest me burg, arrest shtëpie apo kontroll banese, sipas vlerësimit të organeve proceduese.
Mbledhja zhvillohet gjithashtu në një moment kur Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë ka rrëzuar kërkesën e qeverisë për pezullimin e masës së vendosur nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), e cila e shkarkoi zv/kryeministren nga funksionet publike. Ky vendim e ka forcuar pozicionin procedural të SPAK në raport me çështjen.
Këshilli i Mandateve, i drejtuar nga Niko Peleshi, do të vendosë nëse do ta kalojë kërkesën për votim në seancë plenare, ku do të merret vendimi përfundimtar mbi imunitetin parlamentar.
AKUZAT NDAJ BALLUKUT
Numri dy i qeverisë është marrë e pandehur për veprën penale “shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, e kryer në bashkëpunim, në lidhje me tenderin për ndërtimin e tunelit të Llogarasë, si dhe është nën hetim për procedurën e prokurimit të Lotit 4 të Unazës së Madhe.
SPAK ka bërë me dije se hetimet ndaj saj shtrihen edhe në disa procedura të tjera prokurimi publik, duke e rënduar ndjeshëm pozitën e saj përballë drejtësisë.
Sipas kërkesës së paraqitur, Balluku ka marrë cilësinë e personit nën hetim për të njëjtën vepër penale në shtatë procedura të tjera, me objekt:
-
“Plotësimi, rakordimi dhe vazhdimi i punimeve Sheshi Shqiponja–Lumi i Tiranës, Loti 1 dhe QMT”;
-
“Ndërtimi i segmentit rrugor Sheshi Shqiponja–Bulevardi i Ri, Loti 2”;
-
“Ndërtim i segmentit rrugor Sheshi Shqiponja–Bulevardi i Ri–Shkozë, Urat mbi lumin Tirana”;
-
“Ndërtimi i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 4”;
-
“Ndërtimi i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 5”;
-
“Ndërtimi i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 6”;
-
“Ndërtimi i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 7”.
Vendimmarrja e sotme e Këshillit të Mandateve do të jetë përcaktuese për rrjedhën e mëtejshme të procesit penal dhe për fatin politik të zv/kryeministres.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



