SPAK kërkon arrestimin e Belinda Ballukut
Kërkohet arrestimi i zëvëndëskryeministres
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i është drejtuar Kuvendit të Shqipërisë me një kërkesë zyrtare për dhënien e autorizimit për arrestimin ose heqjen e lirisë së deputetes, njëkohësisht ministre dhe zëvendëskryeministre, Belinda Balluku.
Kërkesa është paraqitur në kuadër të procedimit penal nr. 136 të vitit 2025 dhe mbështetet në dispozitat përkatëse të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, Kodit të Procedurës Penale, si edhe në Rregulloren e Kuvendit. Sipas SPAK, Balluku, e lindur dhe banuese në Tiranë, është marrë zyrtarisht e pandehur në këtë procedim penal.
Autoriteti i akuzës e dyshon atë për kryerjen e veprës penale të “shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, e kryer në bashkëpunim, vepër e parashikuar nga nenet 258/2 dhe 25 të Kodit Penal. Akuza lidhet konkretisht me procedurën e prokurimit për ndërtimin e tunelit të Llogarasë.
Përveç kësaj çështjeje, Belinda Balluku rezulton të jetë nën hetim edhe për dyshime mbi të njëjtën vepër penale në shtatë procedura të tjera prokurimi publik, të lidhura kryesisht me projekte infrastrukturore në Tiranë. Mes tyre përfshihen punimet në aksin Sheshi Shqiponja–Lumi i Tiranës, ndërtimi i segmenteve rrugore Sheshi Shqiponja–Bulevardi i Ri, urat mbi lumin Tirana, si edhe disa lote të Unazës së Jashtme të kryeqytetit.
Sipas SPAK, kërkesa drejtuar Kuvendit synon marrjen e autorizimit kushtetues për vijimin e procedurave të mëtejshme ligjore ndaj zyrtares së lartë, në përputhje me parashikimet ligjore për rastet kur hetimi prek funksionarë me imunitet parlamentar.
Njoftimi i SPAK:
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, mbështetur në nenet 73, 95 dhe 103 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, nenin 288 të Kodit të Procedurës Penale, si dhe në nenet 13 dhe 118 të Rregullores së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, në kuadër të procedimit penal nr. 136 të vitit 2025, ka paraqitur kërkesë për dhënien e autorizimit nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë për arrestimin/ heqjen e lirisë së deputetit/ministrit/zëvendëskryeministrit:
Belinda Balluku, lindur dhe banuese në Tiranë, e cila ushtron funksionet e deputetit, ministrit dhe zëvendëskryeministrit të Republikës së Shqipërisë.
Kjo shtetase është marrë në cilësinë e të pandehurit në kuadër të procedimit penal nr.136 të vitit 2025, pasi akuzohet për kryerjen e veprës penale:
“Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, e kryer në bashkëpunim, e parashikuar nga nenet 258/2 dhe 25 të Kodit Penal, në lidhje me procedurën e prokurimit me objekt “Ndërtimi i tunelit të Llogarasë”.
Gjithashtu, shtetasja Belinda Balluku ka marrë cilësinë e personit nën hetim për dyshimin e kryerjes së të njëjtës vepër penale për shtatë procedura të tjera prokurimi me objekt:
- “Plotësimi, rakordimi dhe vazhdimi i punimeve Sheshi Shqiponja-Lumi i Tiranës, Loti 1 dhe QMT”;
- “Ndërtimi i segmentit rrugor Sheshi Shqiponja-Bulevardi i Ri, Loti 2”;
- “Ndërtim i segmentit rrugor Sheshi Shqiponja-Bulevardi i Ri- Shkozë, Urat mbi lumin Tirana”;
- “Ndërtimi i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 4”;
- “Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 5”;
- “Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 6”;
- “Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 7”.
Kjo kërkesë ka për qëllim marrjen e autorizimit nga Kuvendi për procedimin e mëtejshëm ligjor.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



