SPAK kërkon burg përjetë për Plaurent Dervishajn
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka shpallur këtë të premte pretencën për dy nga të pandehurit kryesorë të atentatit ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja, sot deputet.
Në përfundim të paraqitjes së akuzës, prokurorët kanë kërkuar dënimin maksimal për Plaurent Dervishajn, konkretisht burgim të përjetshëm, ndërsa për Julian Meçen është kërkuar një dënim prej 35 vitesh heqje lirie. Pretenca u lexua nga prokurori Adnan Xholi, në mungesë të të pandehurve.
Ngjarja e rëndë daton më 1 nëntor 2019, në zonën e mbikalimit të Shkozetit në Durrës. Në atë atentat mbetën të plagosur Arjan Ndoja dhe Aleksandër Laho, i njohur si “Rrumi i Sukthit”, ndërsa humbi jetën shoferi i prokurorit, Andi Maloku, i cili ndërroi jetë disa ditë më vonë në spital.
Sipas hetimeve, automjeti tip “Benz” me të cilin udhëtonte Ndoja u qëllua me armë automatike nga një tjetër makinë në lëvizje. Si pasojë e breshërisë së plumbave, mjeti doli nga rruga, ndërsa të plagosurit u transportuan me një automjet privat drejt spitalit.
Në makinë me Ndojën ndodhej edhe Landi Muharremi, një person me precedentë penalë, i njohur për përfshirje në konflikte të mëparshme.
Atentati ndaj ish-prokurorit konsiderohet një nga ngjarjet më të rënda kriminale të viteve të fundit, ndërsa vendimi përfundimtar i gjykatës pritet me interes të lartë publik.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



