E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
SPAK kontrolle në sektorin e Ergys Agasit, gjenden pije alkoolike
Lajme

SPAK kontrolle në sektorin e Ergys Agasit, gjenden pije alkoolike

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka kryer kontrolle në ambientet e paraburgimit të Bradasheshit, ku aktualisht mbahet biznesmeni Ergys Agasi.

Sipas burimeve, kontrollet janë përqendruar në sektorin ku qëndron Agasi, ndërsa gjatë verifikimeve raportohet se janë gjetur pije alkoolike.

Agasi ndodhet në paraburgimin e Bradasheshit prej mëngjesit të 29 gushtit, pasi u arrestua më 26 gusht. Ai po mbahet nën masën e sigurisë “Arrest me burg”, e cila u la në fuqi nga Gjykata e Posaçme.

Mbrojtja e biznesmenit ka kundërshtuar akuzat e ngritura nga SPAK. Avokati Maks Haxhia ka deklaruar se, sipas tij, nuk ekzistojnë prova konkrete që e lidhin klientin me veprat penale për të cilat po hetohet.

Ergys Agasi ishte shpallur në kërkim nga SPAK në kuadër të hetimeve për një skemë të dyshuar abuzimi me tenderat e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI). Prokuroria e konsideron atë si drejtues të një grupi të strukturuar kriminal të dyshuar për përfshirje në këtë skemë.

Në dosjen hetimore ndaj tij janë përfshirë disa akuza, mes tyre “grup i strukturuar kriminal”, “konkurrencë e paligjshme nëpërmjet dhunës” dhe “shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”. Më tej, ndaj Agasit është shtuar edhe akuza për “korrupsion pasiv”.

Arrestimi i biznesmenit u krye më 26 gusht, pas një operacioni të përbashkët të SPAK dhe Policisë së Durrësit.

Agasi po udhëtonte me një automjet tip “Audi” nga Elbasani në drejtim të Durrësit, kur u vu në ndjekje nga forcat e policisë. Sipas të dhënave të operacionit, automjeti ishte konstatuar fillimisht në Elbasan nga Forcat Operacionale dhe efektivët e Policisë së Durrësit.

Ndjekja vijoi deri në zonën e Plepave, në Durrës, ku policia arriti të ndalojë automjetin dhe të ekzekutojë arrestimin e Ergys Agasit.

Kontrollet e fundit në Bradashesh zhvillohen ndërkohë që Agasi vijon të qëndrojë në paraburgim, në pritje të zhvillimeve të mëtejshme të çështjes penale ndaj tij.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.