SPAK kontrollon dy vila të Igli Tares në Palasë
Emri i ish-futbollistit të njohur Igli Tare rikthehet për herë të dytë në dosjen hetimore ndaj ish-zv.kryeministres Belinda Balluku, ndërsa SPAK ka zgjeruar verifikimet mbi pasuritë e lidhura me të.
Pas marrjes nën hetim për pastrim parash dhe sekuestrimit të një vile në Dhërmi, e regjistruar në emër të ish-futbollistit dhe e dyshuar nga SPAK si pasuri e fshehur e Belinda Ballukut, Tare është bërë sërish objekt i veprimeve hetimore.
Burime bëjnë me dije se, me urdhër të gjyqtarit të posaçëm Erjon Çela, është ushtruar kontroll në dy vila luksoze në Palasë, në kompleksin Green Coast, të cilat rezultojnë në emër të Igli Tares.
Sipas të njëjtave burime, në bazë të të njëjtit vendim gjyqësor është urdhëruar kontroll edhe në ambientet e shoqërisë Atelier 4, si dhe në zyrën e një arkitekti me inicialet R. Xh. në Vlorë.
Hetuesit dyshojnë se të paktën njëra prej vilave në Palasë mund të jetë pasuri e fshehur e Belinda Ballukut. Për këtë arsye, kontrollet janë pjesë e verifikimeve që po kryhen për të përcaktuar lidhjet e mundshme mes ish-zv.kryeministres, pasurive dhe personave apo subjekteve të përfshira në transaksionet përkatëse.
SPAK po kryqëzon të dhënat e mbledhura gjatë hetimit për të verifikuar nëse ato përputhen me dëshmitë e marra lidhur me vilat. Në këtë proces po analizohen gjithashtu të dhënat e siguruara nga këqyrja e aparateve celulare.
Më herët, SPAK sekuestroi një vilë në Dhërmi, e cila dyshohet se është në pronësi të tërthortë të Ballukut. Pas këtij veprimi, hetimet janë zgjeruar në drejtim të pasurive të tjera dhe lidhjeve të mundshme që mund të çojnë te ish-zv.kryeministrja.
Kontrollet e fundit në Palasë dhe në ambientet e shoqërisë Atelier 4 janë pjesë e kësaj linje hetimore, ndërsa autoritetet po verifikojnë dokumentacionin, të dhënat financiare dhe komunikimet për të përcaktuar nëse dyshimet për pasuri të fshehura kanë bazë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



