SPAK kursen Zegjinenë, e kalon dosjen në Prokurorinë e Fierit

SPAK ka përfunduar hetimet paraprake ndaj kandidates së Partisë Socialiste në qarkun e Fierit, Zegjine Çaushi, duke vendosur që dosja të kalojë për hetim të mëtejshëm në Prokurorinë e Fierit.

Sipas njoftimit zyrtar të SPAK, megjithëse nuk janë gjetur prova për veprën penale të “korrupsionit aktiv në zgjedhje”, hetimet paraprake kanë ngritur dyshime të arsyeshme për tre vepra të tjera penale: “Shpërdorimi i detyrës”, “Përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore” dhe “Kanosje apo dhunim ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje”.

Dosja ndaj Çaushit u hap pas publikimit në media të një audiopërgjimi ku ajo dëgjohej duke ushtruar presion dhe kërcënime ndaj një qytetari, në kontekst të fushatës elektorale. Audioja u bë virale dhe shkaktoi reagime të shumta, përfshirë thirrje për hetim të menjëhershëm nga opinioni publik dhe aktorë të opozitës.

Tashmë, Prokuroria e Fierit do të vijojë me veprimet procedurale për të zbardhur të gjitha rrethanat e çështjes dhe për të vendosur nëse do të ketë ndjekje penale ndaj Çaushit.

Publikuar nga Publik Media