E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
SPAK merr të pandehur dy ish-prokurorë të Sarandës
Flash

SPAK merr të pandehur dy ish-prokurorë të Sarandës

Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka marrë zyrtarisht të pandehur dy ish-prokurorë të Prokurorisë së Sarandës, Kledian Llaho dhe Çlirim Shahini, në kuadër të një hetimi për dyshime korrupsioni që lidhen me lehtësimin e masave të sigurisë ndaj biznesmenit Pando Papuçi, i hetuar më herët për ndërtim pa leje.

Sipas SPAK, Llaho akuzohet për veprën penale të korrupsionit, ndërsa Shahini, i cili aktualisht ushtron profesionin e avokatit, për ushtrim të ndikimit të paligjshëm. Organi i akuzës dyshon se dy ish-prokurorët i kanë kërkuar Papuçit shumën totale prej 55 mijë eurosh, në këmbim të ndërhyrjes në procedurat gjyqësore, me synim zbutjen e masave të sigurisë.

Hetimet kanë evidentuar se Papuçi ishte shmangur nga drejtësia për rreth dy vite dhe u arrestua më pas, ndërsa masa e sigurisë ndaj tij u ndryshua brenda një ore nga gjyqtarja Edona Vajushi, pas kërkesës së prokurorisë. SPAK dyshon se kjo lëvizje ka qenë pjesë e një skeme të paracaktuar, ku pagesat e paligjshme do të shërbenin për të ndikuar vendimmarrjen gjyqësore.

Sipas prokurores Manjola Kajana, Llaho dyshohet se ka përfituar 30 mijë euro, të cilat, sipas hetimit, janë dorëzuar përmes biznesmenit Vasil Bakalli, i akuzuar se ka vepruar si ndërmjetës (sekser). Paratë dyshohet se janë siguruar në Greqi.

Pas daljes nga burgu dhe vendosjes në masën “arrest shtëpie”, Papuçi dyshohet se i ka paguar edhe 25 mijë euro të tjera Çlirim Shahinit, me qëllim që ky i fundit të ndërhynte për zëvendësimin e masës me “detyrim paraqitjeje”. Edhe kjo kërkesë është pranuar më pas nga gjykata.

Çështja ndaj dy ish-prokurorëve pritet të shqyrtohet në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO). Ndërkohë, në gusht të këtij viti, Gjykata e Apelit ka konkluduar se Pando Papuçi nuk kishte konsumuar vepër penale lidhur me akuzën për ndërtim pa leje, duke rrëzuar thelbin e çështjes ndaj tij.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.