Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka regjistruar një procedim penal lidhur me ndërtimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës. Lajmi është konfirmuar zyrtarisht nga SPAK, e cila bën me dije se hetimet janë ende në fazën paraprake dhe nuk bëhen publike emrat apo institucionet e përfshira.
Sipas burimeve, hetimet lidhen me ligjshmërinë e procedurave koncesionare dhe nënshkrimin e kontratës për ndërtimin e këtij aeroporti, një projekt që është promovuar si pjesë e “Shqipërisë turistike” nga qeveria Rama.
Paralelisht me këtë çështje, është regjistruar edhe një tjetër procedim penal për ndërhyrje të dyshuar në sistemin TIMS databaza kritike për kontrollin e hyrje-daljeve në pikat kufitare të vendit. Edhe ky hetim është hapur mbi bazën e një kallëzimi penal, ndërsa ende nuk është bërë publik identiteti i personave apo strukturave të dyshuara.
SPAK ka sqaruar se hetimet janë në fazën fillestare dhe çdo veprim do të ndërmerret mbi bazën e provave të mbledhura gjatë procesit.
Këto zhvillime ngrejnë shqetësime të reja mbi integritetin e kontratave publike dhe sigurinë e sistemeve shtetërore, në një kohë kur vendi përballet me mungesë transparence dhe dyshime të thella mbi keqmenaxhimin e fondeve publike.