SPAK paraqet provat e fundit për “Gërdecin”
Në seancën e zhvilluar këtë të martë për çështjen “Gërdeci”, Prokuroria e Posaçme (SPAK) paraqiti para gjykatës paketën e fundit të provave shkresore në ngarkim të ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu.
Mes dokumenteve të administruara nga organi i akuzës përfshihet edhe një faks zyrtar i dërguar nga Ministria e Drejtësisë drejt Ministrisë së Mbrojtjes, i shoqëruar me shënimin “Për Shkëlzenin”, element që sipas SPAK konsiderohet i rëndësishëm për hetimin e rrethanave të çështjes.
Gjatë seancës, prokurori Arben Kraja bëri me dije se rezervon të drejtën për të marrë në pyetje, në cilësinë e dëshmitares, Anjola Agollin, ish-sekretaren e Aldo Bumçit, i cili në kohën e ngjarjes tragjike mbante postin e ministrit të Drejtësisë.
SPAK informoi gjithashtu gjykatën se tashmë ka siguruar adresën e vendbanimit të Anjola Agollit, e cila deri në këtë fazë të procesit nuk është pyetur nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO).
Seanca e radhës gjyqësore u caktua për datën 14 janar, në orën 09:00. Në këtë seancë mungonte ish-ministri Fatmir Mediu, i cili u përfaqësua në gjykatë nga avokatët e tij mbrojtës.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



