E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
SPAK sekuestron pasuritë e pronarit të “Monopol”
Flash

SPAK sekuestron pasuritë e pronarit të “Monopol”

Nga Lamborghini e Rolls Royce, apartamente, biznese e 52 llogari bankare

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka vendosur sekuestron preventive mbi pasuritë e Aurelinjo Kalaveri, i njohur si Aurel Hoxha, i akuzuar për porositjen e rrëmbimit, vrasjes dhe groposjes së 24-vjeçarit Klevis Lleshi, ngjarje kjo e ndodhur më 5 gusht 2020.

Në kuadër të hetimeve, SPAK ka sekuestruar:

3 subjekte tregtare në Tiranë:

“Monopol sh.p.k” (ortak A.K., administrator K.K.)

“A.K. PF” (emër tregtar “Monopol Bar Lounge 24 ore”)

“Elite Event sh.p.k” (ortak dhe administrator A.K.)

7 apartamente dhe 6 njësi tregtare në rrugën Myslym Shyri, Tiranë, me sipërfaqe që varion nga 49 m² deri në 146.45 m².

32 automjete, përfshirë një Lamborghini Urus dhe një Rolls Royce Cullinan, në pronësi ose përdorim të personave të përfshirë në hetim.

52 llogari bankare në emër të individëve dhe subjekteve të lidhura me rastin.

Vlera totale e pasurive të sekuestruara arrin afërsisht në 5 milionë euro, sipas Prokurorisë së Posaçme.

Njoftimi i SPAK:

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në zbatim të vendimit nr.622, datë 3.10.2025 të Gjykatës së Posaçme, lëshoi në po të njëjtën ditë, urdhërin për caktimin e masës “sekuestro preventive” mbi 3 subjekte tregtare, 7 apartamente, 6 njësi tregtare, 32 autovetura, mes të cilave një Lamborghini Urus dhe një Rolls Royce Cullinan dhe 52 llogari bankare, në pronësi të drejtpërdrejtë apo të tërthortë të personave nën hetim, në kuadër të procedimin penal nr.177 të vitit 2025.

Vlera totale e pasurive të sekuestruara përllogaritet të jetë afërsisht 5 milionë euro.

Subjektet tregtare për të cilat është vendosur “sekuestro preventive”:

“Monopol sh.p.k”, me ortak të vetëm A.K. dhe administrator K.K. Subjekti është regjistruar më 26.05.2025, Rruga “Myslym Shyri”;
“A. K. PF”, emër tregtar “Monopol Bar Lounge 24 ore”, subjekt i regjistruar më 28.02.2020, Rruga Myslym Shyri;
Subjekti tregtar “Elite Event sh.p.k”, ku A.K. është ortak i vetëm dhe njëkohësisht administrator, subjekt i regjistruar më 26.02.2025, Rruga Myslym Shyri;

Apartamentet dhe njësitë:

Apartament me sipërfaqe 133.04 m², i ndodhur në rrugën Myslym Shyri, Tiranë
Apartament me sipërfaqe 143 m², i ndodhur në rrugën Myslym Shyri, Tiranë
Apartament me sipërfaqe 137.66 m², i ndodhur në rrugën Myslym Shyri, Tiranë
Apartament me sipërfaqe 125.26 m², i ndodhur në rrugën Myslym Shyri, Tiranë
Apartament me sipërfaqe 125.26 m², i ndodhur në rrugën Myslym Shyri, Tiranë
Apartament me sipërfaqe 137.66 m², i ndodhur në rrugën Myslym Shyri, në Tiranë;
Apartament me sipërfaqe 137.66 m², i ndodhur në rrugën Myslym Shyri, në Tiranë
Njësi me sipërfaqe 53.75 m², të ndodhur në rrugën Myslym Shyri, në Tiranë
Njësi me sipërfaqe 90.64 m², e ndodhur në rrugën Myslym Shyri, në Tiranë
Njësi me sipërfaqe 146.45 m², e ndodhur në rrugën Myslym Shyri, në Tiranë
Njësi me sipërfaqe 143.3 m² të ndodhur në rrugën Myslym Shyri, në Tiranë
Njësi me sipërfaqe 49 m² të ndodhur në rrugën Myslym Shyri, në Tiranë
Njësi me sipërfaqe 50 m² të ndodhur në rrugën Myslym Shyri, në Tiranë

“Sekuestro preventive” është kërkuar edhe për:

32 automjete, mes të cilave një Lamborghini Urus dhe një Rolls Royce Cullinan, të cilat janë në pronësi ose përdorim, të personave si vijon: A.K, L.K, K.K, Zh.Xh-I, S.L, L.K (person fizik), Zh.Xh-I, SALOU Rental shpk etj.

52 llogaritë bankare, në bankat e nivelit të dytë janë në pronësi të subjekteve: Zh.Xh-I, Zh.Xh-I (person fizik), S.L, SALOU Rental, Monopol Exchange, L.K, L.K (person fizik), K.K, Elite Event, A.K dhe A.K (person fizik).

Për ekzekutimin e vendimit të Gjykatës së Posaçme është ngarkuar Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit dhe Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara.

Vrasja e Klevis Lleshit

Aurelinjo Kalaveri alias Aurel Hoxha, i cili ndodhet në arrati, akuzohet se ka porositur rrëmbimin, vrasjen dhe groposjen e Klevis Lleshi, për hakmarrje ndaj vëllait të tij, i cili u djeg brenda një makine në Britani nga kushëriri i 24-vjeçarit.

Sabah Nuzin akzohet se ekzekutoi Klevis Lleshin kundrejt 50 mijë eurove dhe u la pas hekurave me vendim të GJKKO-së më 27 Shtator 2025.

Ngjarja u zbardh pas 5 vitesh nga zhdukja e Klevis Lleshit pas zbërthimit të përgjimeve në aplikacionin e koduar SkyEcc.

Ai humbi çdo gjurmë në qytetin e Burrelit më 5 gusht 2020 dhe trupi u gjet i varrosur disa muaj më vonë në zonën e Shpërdhetit, Kurbin, ndërsa u deshën dy vite që të ekspertiza të përcaktonte se eshtrat i përkisnin 24-vjeçarit.

Krimi, sipas SPAK, u porosit nga pronari i lokalit “Monopol” në rrugën “Mylym Shyri” në Tiranë, Aurelinjo Kalaveri alias Aurel Hoxha. Ai dyshohet se porositi vrasjen e Klevis Lleshit për të marrë hak për të vëllanë, 25-vjeçarin Agim Hoxha, i cili në prill të vitit 2012 gjet i vrarë dhe i djegur në një automjet në afërsi të Southampton, një qytet port në jug të Britanisë.

Autori i krimit, Arben Lleshi, kushëriri i Klevis Lleshit, u dënua me burgim të përjetshëm për vrasjen dhe në dhjetor 2023 u ekzekutua brenda burgut të Peqinit.

ZBARDHJA E KRIMIT

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka goditur grupin e strukturuar kriminal, të përfshirë në vrasje me pagesë dhe pastrim parash.

Nga hetimet rezulton se anëtarët e grupit kriminal kishin organizuar dhe kryer vrasje me pagesë, përfshirë raste për gjakmarrje, duke përdorur armë zjarri dhe duke fshehur trupat e viktimave.

Një ndër rastet më të rënda është vrasja e Klevis Lleshit më 5 gusht 2020 në Burrel, ku trupi i tij u gjet i groposur në zonën e Shpërdhetit, Kurbin, disa muaj më vonë. Vrasja dyshohet se është kryer kundrejt një pagese prej 50.000 eurosh.

Si drejtues i grupit të strukturuar kriminal dhe si porositës i vrasjes dyshohet të jetë shtetasi Aurelinjo Kalaveri alias Aurel Hoxha, në shenjë hakmarrjeje për vrasjen e vëllait të tij, Agim Hoxha në Mbretërinë e Bashkuar, në vitin 2012.

Nga hetimet ka rezultuar se si ndërmjetës mes Aurel Hoxhës dhe vrasësit me pagesë ka vepruar Sajmir Kolaveri, ndërsa si ekzekutor dyshohet të jetë shtetasi Sabah Nuzi.

Gjithashtu nga provat e administruara rezulton se shtetasi Aurelinjo Kalaveri alias Aurel Hoxha, në rolin e krijuesit, drejtuesit dhe organizatorit, ka krijuar një grup të strukturuar kriminal, me synimin për kryerjen e veprimtarisë së kundraligjshme të pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale, ku pjesëtarë të këtij grupi të strukturuar kriminal janë edhe Samet Loka dhe shtetas të tjerë të paidentifikuar.

Të ardhurat e kundraligjshme, dyshohen se janë krijuar nga aktiviteti i kundraligjshëm i trafikimit të narkotikëve nga vendet e Amerikës së Jugut, drejt vendeve të Bashkimit Evropian dhe Shqipëri.

SPAK njofton se informacionet janë administruar nga autoritetet ligjzbatuese të disa vendeve të Bashkimit Europian si dhe nga analiza e komunikimeve në platformën e enkriptuar SkyECC.

Nga ky aktivitet i paligjshëm dyshohet se janë krijuar të ardhura monetare të cilat kanë shërbyer për investime në aktivitete tregtare, pasuri të paluajtshme dhe pasuri të luajtshme, këmbimin apo transferimin e pasurive, me qëllim fshehjen ose mbulimin e origjinës së paligjshme të tyre, kryerjes së veprimeve financiare ose transaksioneve të copëzuara për shmangien nga raportimi, sipas legjislacionit për parandalimin e pastrimit të parave.

Prokurorët e Posaçëm kanë lëshuar 4 urdhërarreste. Të arrestuarit janë Sabah Nuzi, Samet Loka, të dy 31 vjeç, si edhe Sajmir Kolaveri, i cili është vënë në pranga në Itali.

Ndërkohë, në kërkim është shpallur 36 vjeçari Aurel Hoxha, i njohur edhe me emrin Aurelinjo Kalaveri, i cili është pronar i lokalit “Monopol” në Myslym Shyr.

NJOFTIMI I SPAK

SPAK godet një grup të strukturuar kriminal të përfshirë në vrasje me pagesë dhe pastrim parash

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në kuadër të procedimit penal nr. 177, të regjistruar më datë 16.9.2025, po zhvillon hetime të thelluara në lidhje me disa vepra penale me rrezikshmëri të lartë, të kryera në bashkëpunim të posaçëm në formën e grupit të strukturuar kriminal.

Hetimi i kryer në bashkëpunim të ngushtë me Europol, Eurojust, si dhe autoritetet ligjzbatuese të Francës, Italisë, Belgjikës, Holandës dhe Gjermanisë mundësoi zbardhjen e një skeme të organizuar kriminale e përfshirë në:

-Vrasje me pagesë dhe për gjakmarrje, përfshirë fshehjen e kufomave dhe mbajtjen pa leje të armëve të zjarrit;

-Pastrimin e produkteve të veprës penale përmes investimeve të dyshimta në Shqipëri dhe jashtë saj;

Hetimet u përqëndruan tek disa shtetas shqiptarë të përfshirë në organizimin dhe realizimin e vrasjeve në territorin e Republikës së Shqipërisë, kundrejt përfitimit të shumave të ndryshme monetare. Personat e përfshirë duke bashkëpunuar me njëri tjetrin kanë arritur të sigurojnë shuma të konsiderueshme parash, të kontraktojnë persona për kryerjen e vrasjeve me pagesë për hakmarrje personale apo gjakmarrje. Disa anëtarë të këtij grupi kriminal dyshohet se kanë mundësuar depërtimin e sasive të konsiderueshme të parave të përftuara në mënyrë të paligjshme në sistemin finaciar shqiptar, përmes investimeve me karakter dyshues dhe duke përdorur këto shuma parash për kryerjen e veprave penale kundër jetës dhe shëndetit.

Gjatë hetimeve intensive të kryera nga hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), nën drejtimin e prokurorëve të posaçëm është dokumentuar aktiviteti kriminal si dhe identifikimi i disa prej autorëve të dyshuar të veprave penale të përmendura, një pjesë e të cilave është kryer në bashkëpunim, në formë e grupit të strukturuar kriminal.

Identifikimi i autorëve të dyshuar për vrasjen për gjakmarrje të shtetasit, K.LL më datë 05.08.2020, në qytetin e Burrelit dhe më pas fshehja e kufomës së viktimës K.LL, duke u varrosur në fshatin Shpërdhet të Njësisë Administrative Mamurras, Bashkia Kurbin. Eshtrat e viktimës u zbuluan më datë 8.12.2020. Dyshohet se vrasja është kryer me armë zjarri dhe kundrejt pagesës prej 50.000 eurove.

Veprimet e kundraligjshme të vrasjes për gjakmarrje, mbajtjes pa leje dhe prodhimit të armëve, si dhe fshehja e kufomës janë kryer në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal. Si drejtues i grupit të strukturuar kriminal dhe si porositës i vrasjes për gjakmarrje dyshohet të jetë shtetasi A.K (alias A.H), në shenjë hakmarrjeje për vrasjen e vëllait të tij në Mbretërinë e Bashkuar, në vitin 2012.

Si ndihmës dhe ndërmjetës dyshohet të jetë shtetasi, A.K, ndërsa si ekzekutor dyshohet të jetë shtetasi S.N. Në lidhje me këtë fakt po hetohet për identifikimin e personave të tjerë , të cilët mund të jenë të përfshirë në këtë ngjarje kriminale.

Gjithashtu nga provat e administruara rezulton se shtetasi A.K (alias A.H), në rolin e krijuesit, drejtuesit dhe organizatorit, ka krijuar një grup të strukturuar kriminal, me synimin për kryerjen e veprimtarisë së kundraligjshme të pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale, ku pjesëtarë të këtij grupi të strukturuar kriminal janë shtetasi S.L dhe shtetas të tjerë të paidentifikuar.

Të ardhurat e kundraligjshme, dyshohen se janë krijuar nga aktiviteti i kundraligjshëm i trafikimit të narkotikëve nga vendet e Amerikës së Jugut, drejt vendeve të Bashkimit Evropian dhe Shqipëri. Informacionet e mësipërme janë administruar nga autoritetet ligjzbatuese të disa vendeve të Bashkimit Europian si dhe nga analiza e komunikimeve në platformën e enkriptuar SkyECC.

Nga ky aktivitet i paligjshëm dyshohet se janë krijuar të ardhura monetare të cilat kanë shërbyer për investime në aktivitete tregtare, pasuri të paluajtshme dhe pasuri të luajtshme, këmbimin apo transferimin e pasurive, me qëllim fshehjen ose mbulimin e origjinës së paligjshme të tyre, kryerjes së veprimeve financiare ose transaksioneve të copëzuara për shmangien nga raportimi, sipas legjislacionit për parandalimin e pastrimit të parave.

Pas kërkesës së Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, me vendimin nr.98, më datë 25.9.2025, Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka caktuar masën e sigurimit “arrest në burg”, të parashikuar nga neni 238 i Kodit të Proçedurës Penale ndaj katër shtetasve shqiptarë:

A.K (alias A.H), i datëlindjes 06.12.1989, i dyshuar për veprat penale:
– “Vrasje për gjakmarrje”, në dëm të viktimës K.LL, në datën 05.08.2020, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 78/a dhe 28/4 të Kodit Penal; “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 278/1 dhe 28/4; “Fshehja ose asgjesimi i kufomës”, në dëm të viktimës K.LL, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 303 dhe 28/4 të Kodit Penal; “Grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333/a/1 i Kodit Penal; “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”, parashikuar nga neni 334 i Kodit Penal;– “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 287/1, gërma “b” dhe 28/4 të Kodit Penal; “Grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333/a/1 i Kodit Penal; “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”, parashikuar nga neni 334 i Kodit Penal. ;
S.N, i datëlindjes 25.06.1994, i dyshuar për veprat penale të “Vrasje për gjakmarrje”, në dëm të viktimës K.LL, në datën 05.08.2020, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 78/a dhe 28/4 të Kodit Penal; “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 278/1 dhe 28/4; “Fshehja ose asgjesimi i kufomës”, në dëm të viktimës K.LL, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 303 dhe 28/4 të Kodit Penal; “Grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333/a/2 i Kodit Penal; “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”, parashikuar nga neni 334 i Kodit Penal. ;
S.K, i datëlindjes 19.05.1982, i dyshuar për veprat penale të “Vrasje për gjakmarrje”, në dëm të viktimës K.LL, në datën 05.08.2020, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 78/a dhe 28/4 të Kodit Penal; “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 278/1 dhe 28/4; “Fshehja ose asgjesimi i kufomës”, në dëm të viktimës K.LL, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 303 dhe 28/4 të Kodit Penal; “Grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333/a/2 i Kodit Penal; “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”, parashikuar nga neni 334 i Kodit Penal. ;
S.L, i datëlindjes 30.12.1994, i dyshuar për veprat penale të “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 287/1, gërma “b” dhe 28/4 të Kodit Penal; “Grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333/a/2 i Kodit Penal; “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”, parashikuar nga neni 334 i Kodit Penal.

Prokurorët e Posaçëm kanë nxjerrë urdhërat e ekzekutimit të masave të sigurimit më datë 25.09.2025.

Zbatimi i masave të sigurisë ndaj shtetasve S.N. dhe S.L, është bërë i mundur nga hetuesit e BKH-së dhe strukturat e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ndërsa po vazhdojnë kërkimet për krijuesin, organizatorin dhe drejtuesin e grupit të strukturuar kriminal shtetasin A.K (alias A.H).

Pas bashkëpunimit të ngushtë me Europol dhe autoritetet ligjzbatuese italiane është bërë e mundur arrestimi në Itali i shtetasit nën hetim S.K,.

Falenderojmë Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe BKH-së për profesionalizmin e treguar dhe bashkëpunimin e ngushtë në fazën e ekzekutimit të vendimeve të gjykatës.

Falenderojmë veçanërisht Europol, Eurojust, autoritetet gjyqësore të Republikës së Francës dhe autoritetet ligjzbatuese të Italisë, Belgjikës, Holandës dhe Gjermanisë për bashkëpunimin intensiv dhe kontributin e tyre gjatë hetimeve të këtij procedimi penal si dhe në zbatimin e masave të sigurimit personal.

Shënim: Cilido prezumohet i pafajshëm derisa fajësia të provohet me vendim gjyqësor të formës së prerë.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.