SPAK thellon hetimet ndaj Belinda Ballukut, 35 kontrolle në gjithë vendin
Sekuestrohen dokumente, pajisje telefonike e kompjuterike
Zhvillime të reja kanë dalë në dritë nga hetimet e SPAK lidhur me çështjen ndaj ish-zv/kryeministres Belinda Balluku. Me vendim të gjyqtarit Erion Çela, janë miratuar 35 kontrolle dhe masa sekuestroje në zona të ndryshme të vendit, në një operacion të gjerë që ka përfshirë struktura të shumta hetimore.
Për shkak të shtrirjes së gjerë të veprimeve, në terren janë angazhuar pothuajse të gjitha njësitë e Byrosë Kombëtare të Hetimit, të cilat kanë kryer kontrolle në biznese, ambiente private dhe tek persona të lidhur me rrethin familjar të ish-zyrtares së lartë. Gjatë këtyre veprimeve janë sekuestruar dokumente të ndryshme, si dhe pajisje elektronike, përfshirë telefona dhe kompjuterë, që pritet t’i nënshtrohen analizave të detajuara.
Sipas burimeve mediatike, hetimet kanë prekur edhe lidhje familjare të afërta. Mes personave të përfshirë në kontrolle përmendet sipërmarrësi Mired Reçi, i afërm i Ballukut, i cili në të kaluarën ka qenë i përfshirë në aktivitete biznesi përmes kompanive “XL Market” dhe “Hippo Tregu Elektrik”. Në këto subjekte, ortak ka rezultuar edhe një tjetër familjar, Meland Qirko. Të dhënat tregojnë se aksionet në këto kompani janë transferuar te një palë e tretë në fillim të vitit 2020, ndërsa aktiviteti është pezulluar menjëherë pas kësaj.
Ndërkohë, hetuesit kanë vijuar edhe me marrjen në pyetje të një sërë personash, përfshirë ish-zyrtarë dhe përfaqësues të sektorit energjetik. Mes tyre përmendet edhe Viola Haxhiademi, aktualisht në drejtimin e KESH, si dhe biznesmeni Arbër Abazi.
Hetimet ndaj Ballukut kanë nisur që në fund të vitit të kaluar, kur ajo u mor e pandehur për çështjen e ndërtimit të Tunelit të Llogarasë. Më pas, ndaj saj u vendos ndalimi për të dalë jashtë vendit, ndërsa përpjekja për pezullimin nga detyra u bë objekt përplasjeje institucionale dhe përfundoi në Gjykatën Kushtetuese të Shqipërisë, e cila nuk arriti të marrë një vendim për shkak të mungesës së kuorumit.
Paralelisht, hetimet janë zgjeruar edhe në projektet infrastrukturore të Unazës së Madhe të Tiranës, ku dyshohet për shkelje në disa procedura tenderuese me vlera të konsiderueshme financiare. Për këtë çështje, prokurorët kërkuan autorizim nga Kuvendi për arrestimin e saj, por kërkesa u rrëzua nga shumica parlamentare.
Operacionet hetimore vijojnë, ndërsa pritet që materialet e sekuestruara dhe dëshmitë e mbledhura të hedhin më shumë dritë mbi një nga dosjet më të ndjeshme të korrupsionit në vend.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



