SPAK-u dhe laku!

Denis Dyrnjaja

Zhvillimet e dy viteve të fundit e kanë shndërruar Prokurorinë e Posaçme në një aktor kryesor në aktualitetin e ngjarjeve në vend dhe në një shpresë për publikun dhe qytetarët se drejtësia vonon por nuk harron, se shteti sa do i lodhur, i drobitur, i kapur apo dhe i korruptuar vjen një moment që fillon e vepron.

Në 10 vjeçarin e fundit krimi nga niveli ordiner, është ngritur në stadin e krimit të organizuar, madje të mirëorganizuar. Grupe të strukturuara veprojnë në qytete të ndryshme, por me një bashkëpunim të fortë edhe me linja trafiku jashtë vendit, që nga Ekuadori, e Kolumbia të Amerikës së Jugut e deri në Europë ku rrjete të tëra shpërndajnë lëndë narkotike.

Paratë e gjeneruara futen ilegalisht në Shqipëri dhe investohen kryesisht në ndërtim. Thuajse 80% e këtyre ndërtimeve që janë shndërruar në ekspansion kryesisht në kryeqytet dhe në qytetet bregdetare, mbartin në muret e tyre paratë e drogës që shndërrohen në llaç e tulla për kulla.

Prokurorët specialë në bashkëpunim edhe me agjenci ndërkombëtare të zbatimit të ligjit, po kryejnë në vazhdimësi goditje të forta ndaj grupeve të strukturuara kirminale dhe elementëve apo individëve me rekorde kriminale, duke i tronditur fort pozitat dominuese të tyre në territor. Por nëse në këtë betejë SPAK-u do të kishte më vete dhe policinë, do të kishte rezultate edhe më të mëdha.

Ky bashkëveprim herë pas herë dështon pasi struktura të policisë në nivele të larta, ka rezultuar se informojnë dhe bashkëveprojnë me grupet kriminale, duke i sinjalizuar ato për hetimet apo operacionet që kryhen ose do të kryhen. Fakt është që shumë personazhe dhe eksponentë të botës së krimit marrin informacion para se të ndodhin ndërhyrjet për arrestimin e tyre.

Praktikisht kemi më shumë persona nën kërkim, sasa në paraburgim për hetim nga “peshqit e mëdhenj”. Ndaj SPAK-u duhet të kryejë një goditje spastruese fillimisht në kupolën e policisë së shtetit, që ky institucion kyç të rikthehet në rolin e tij natyral si aleat i prokurorisë dhe ligjit dhe jo krimit e falangave të tij.

Kjo është e domosdoshme dhe jetike për ekzistencën e suksesin e ligjit dhe autoritetin e shtetit. Nuk mund të ketë kuptim një shtet ku nuk ndan dot ku mbaron krimi e ku fillon policia, se të dy janë në territor, por shpesh në ndërveprim me njëri tjetrin në shkelje të ligjit dhe interesit publik.

Kemi arritur në nivelin ku krimi sponsorizon emërime për shefa komisariatesh e madje dhe drejtorë policie. Në titujt e mediave kur raportohet për takime ndërinstitucionale shkruhet shpesh, në tryezë ishin përballë drejtuesi i SPAK-ut Altin Dumani dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ilir Proda, duke nënkuptuar se mes tyre ka një ngërç që lidhet me integritetin profesional e personal.

Këto dyshime ekzistojnë sepse është lënë vend që ato të ekzistojnë si dyshime ndryshe nuk kishin pse ngriheshin. Nga ana tjetër një nga lëvizjet më të domosdoshme dhe më prioritare është çelja e një megahetimi për sektorin e ndërtimit në Shqipëri. Kush po ndërton në këtë vend? Çfarë historiku kanë ata që marrin leje apo ndërtojnë? Ku i gjejnë paratë për ndërtim? Sa rol kanë bankat në sektorin e ndërtimit dhe në ç’mënyrë janë përfshirë ato?

A janë dhe bankat të implikuara në operacione për pastrimin e parave në ndërtim dhe më gjerë? Apo kryejnë ato rolin bypass për të kaluar paratë nga tregu informal në sektorin e ndërtimit? Apo janë jashtë loje në këtë megaoperacion kriminal? Si shpjegohet roli apatik thuajse i asnjanësuar i Bankës së Shqipërisë dhe Guvernatorit pasunar të saj?

A ka Banka e Shtetit ndonjë raport për paranë informale në ndërtim, në çfarë vlerash apo përqindjeje është ajo në raport me paranë legale? E ka këtë raport dhe se bën publik, apo se ka se nuk është marrë fare me këtë fenomen që “bërtet” në çdo qytet. Përse nuk është marrë Guvernatori me këtë fenomen sepse nuk e sheh nga neglizhenca apo se nuk do ta shohë qëllimisht për shkak interesash? Po pasuria e Guvernatorit a duhet hetuar dhe a ka ai konflikt interesi brenda familjes dhe detyrës që mban në raportet bankare shtet/privat? Anglezët thonë nëse do të zbulosh të vërtetën pyet vetëm pse…pse…pse dhe gjithçka zbulohet.

Atëherë natyrshëm SPAK-u ka gati një pyetje prej se cilës duhet të nisë të zbardhë e zbulojë një skemë të madhe të investimit kriminal, pse po ndërtohet kaq shumë në Shqipëri? Nga kjo do mësojmë kush po ndërton dhe mese po ndërton? Kush i mbështet në shtet dhe kush i mbron? Si shpjegohet që kemi një Agjenci Inteligjence për Pastrimin e parave dhe nëse ka një fenomen masiv dhe jo ligjor që është i dukshëm dhe kaq shumë prezent është qarkullimi i parasë së zezë që vetëm kjo agjenci nuk e sheh. Se sheh nga paaftësia apo nuk e sheh nga ëmbëlsia që të bën “joshja” që të çon te “gjumësia” .

Pastrimi i parave duhej të kishte përveç ndërtimit prioritet edhe sektorin e lojërave të fatit ku gjenerohen miliarda euro në vit, por nuk e bën. Pse nuk e bën, pse nuk vepron? Dhe këtu SPAK-u ka goxha material për t’u marrë pasi shtetit nga kjo veprimtari e paligjshme që lulëzon si treg informal i ikin miliona euro taksa. Ligji për legalizimin e lojërave të fatit është miratuar prej më shumë se një viti. Përse nuk hapen garat e licensimit? Kush është i interesuar që të mbetet ky treg në të zezë? Vetëm operatorët informalë apo dhe institucionet që duhet ta kontrollojnë dhe licensojnë këtë treg? Nëse legalizohet mbaron interesi korruptiv, atëherë logjika të çon se kush është i interesuar që tregu të mos fomalizohet. Dhe këtu ka plot punë për të cilën kërkohet angazhimi i prokurorisë pasi do të zbulojë një megaçerdhe korruptive që mbahet nga ryshfeti i tregut informal. Pra SPAK mjafton të meret vetëm me dy sektorë në këtë vend me ndërtimin dhe lojërat e fatit për t’i dhënë një goditje fatale dhe frontale informalitetit. Provat janë sheshit, dhe mëkatarët gjithashtu SPAK-u vetëm duhet t’iu shtrëngojë lakun!

Publikuar nga Publik Media