SPAK-u i ” Noc Rrokut” amerikan dhe Erioni i Inceneratorit
Naim Noka
Sipas raportimeve të disa mediave online, Gjykata e Posaçme ka firmosur këtë të enjte masat e sigurisë të kërkuara nga SPAK për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. GJKKO ka vendosur ndalimin e daljes jashtë vendit për Veliajn, duke i bllokuar pasaportën dhe duke e detyruar të paraqitet periodikisht në prokurori. Veliaj është nën hetim prej disa muajsh nga Prokuroria e Posaçme për akuza të rënda që përfshijnë korrupsion, shpërdorim detyre, hetime pasurore dhe për shembjen e Teatrit Kombëtar. SPAK ka arrestuar tashmë disa prej drejtorëve të tij kryesorë dhe ka nën hetim dhjetëra zyrtarë të tjerë në kuadër të dosjes famëkeqe “5D”.
Lajmi është i pakonfirmuar por një gjë tashmë e dinë të gjithë : Nëse SPAK dështon të çojë Erion Veliajn dhe bashkëpunëtorët e tij përpara drejtësisë për skandalin e miliona eurove të inceneratorit të Sharrës — një projekt i inekzistent që ka thithur shuma kolosale nga buxheti publik — atëherë SPAK do të ketë dështuar përfundimisht në misionin e tij për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar në nivelet më të larta.
Kjo çështje përbën një nga shembujt më të tmerrshëm të korrupsionit në Shqipëri: para publike të zhdukura për një projekt që asnjëherë nuk u realizua.
SPAK ka parë me lupë dosjet Berishës dhe Metës duke bërë hetime të thelluara dhe mirë ka bërë por nuk po mundet dot të hetojë inceneratorin që nuk egziston dhe që qytetarét e Tiranës, Durrësit, Shijakut dhe Kavajës paguajnë për të groposur tonelata mbetje dhe që po mbulohen me dheun e gropave të pallateve.
SPAK që na u shit si shpresa e fundit nga amerikanët kundër korrupsionit të lartë, ende nuk ka arritur të japë një përgjigje të prerë për krimin e madh “intelektual” : ku u tretën miliona euro dhe ku vazhdojnë të tretën çdo ditë.
Kjo mungesë e veprimit për të hetuar Veliajn dhe të tjerët të përfshirë në aferën e shekullit,ka ulur në minimum besimin e qytetarëve tek SPAK, duke e kthyer këtë institucion në një fasadë e pavarësisë, në vend që të jetë një organ real i luftës kundër korrupsionit.
Qëllimi i SPAK ka qenë i qartë që nga fillimi: të sjellë para drejtësisë zyrtarët që vjedhin paratë publike.
Por pas kaq shumë kohësh, faktet e skandalit të inceneratorëve janë të njohura. Ato janë denoncuar jo vetëm nga opozita dhe mediat e pavarura, por edhe nga hetimet e detajuara që kanë zbuluar një rrjet të sofistikuar korrupsioni, ku Veliaj ka luajtur një rol kyç.
Nëse SPAK dështon të çojë në qeli Erion Veliajn, dështimi i tij nuk do të jetë thjesht i radhës, por një tradhti ndaj gjithë Shqipërisë. Sepse, nëse ky institucion nuk arrin të ndëshkojë abuzuesit e pushtetit që përvetësojnë miliona në mënyrë të paligjshme, çfarë shprese mbetet për qytetarët që kërkojnë drejtësi për shkeljet më të vogla? Ky është një test për vetë drejtësinë shqiptare — për të provuar nëse reformat e bëra nga PS dhe Rama dhe jo më nga amerikanët që na paskëshin sjellë “Noc Rrokun” nuk janë thjesht një lojë fasade për t’i shërbyer vetëm qeverisë Rama dhe klientelës së saj.
Nëse Veliaj dhe të tjerët të përfshirë do t’ia hedhin pa pasoja për këtë aferë, atëherë SPAK nuk do të jetë gjë tjetër veçse një lodër në duart e NJERIUT që kontrolloka vërtet këtë institucion. Koha do të tregojë kush është “Noc Rroku” i vërtetë ai që na paskan sjellë amerikanët apo ai që do marrin shqiptarët nga kjo drejtësi me dirigjim nga “Noci” ynë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



