SPAK vendos ‘me shpatulla pas murit’ për orë të tëra Ilir Metën
Debate, fakte, prova dhe përplasje për aferat
Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar nuk ka marrë ende një vendim nëse dosja penale ndaj Ilir Metës, Monika Kryemadhit dhe personave të tjerë të përfshirë do të kalojë për gjykim. Edhe pse SPAK mbylli hetimet dhe dorëzoi dosjen në gjykatë në muajin gusht të vitit të kaluar, procesi vijon të zvarritet.
Seanca e radhës u përqendrua në parashtrimet e Prokurorisë së Posaçme, të cilat zgjatën rreth tetë orë. Burime nga seanca bëjnë me dije se deri tani janë lexuar afro 130 faqe nga aktet proceduriale, ndërsa rreth 100 faqe të tjera pritet të paraqiten në seancën pasuese. Vetëm pas përfundimit të parashtrimeve të SPAK, fjala do t’i kalojë mbrojtjes dhe më pas gjykata do të vendosë nëse çështja do të kalojë ose jo për gjykim të themelit.
Gjatë seancës janë regjistruar edhe debate të forta. Prokurori i çështjes, Sotir Kllapi, ka paraqitur prova dhe fakte që lidhen me aferat e dyshuara të ish-Presidentit të Republikës, çka ka sjellë përplasje të drejtpërdrejta në sallë.
Më herët, detaje mbi tensionet i ka dhënë edhe avokati mbrojtës i Ilir Metës, Kujtim Cakrani. Sipas tij, ka pasur përplasje të vazhdueshme mes Metës dhe prokurorit Kllapi, i cili, sipas mbrojtjes, ishte i vetëm në seancë, pa praninë e drejtuesve të SPAK.
Avokati ka pretenduar se parashtrimet e prokurorisë kanë qenë të pasakta në data dhe rrethana kohore, gjë që, sipas tij, ka sjellë ndërprerje të herëpashershme nga ana e mbrojtjes. Ai theksoi se seanca paraprake duhet të fokusohet te veprimet proceduriale dhe jo te interpretime të fakteve, duke shtuar se SPAK, sipas tij, nuk ka paraqitur lista të qarta provash për akuzat ndaj Metës dhe Kryemadhit.
Ndërkohë, Prokuroria e Posaçme ka zgjeruar spektrin e dyshimeve ndaj ish-Presidentit, duke përfshirë në dosje edhe një letër-porosi të ardhur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sipas SPAK, nga hetimet ka rezultuar një shumë e re prej rreth 280 mijë dollarësh amerikanë, e dyshuar si e përfituar në mënyrë të paligjshme dhe e lidhur me Ilir Metën.
Kjo shumë lidhet me një kontratë konsulence me kompaninë GSIS dhe i shtohet vlerës fillestare mbi të cilën ishin ngritur më herët akuzat.
Sipas Prokurorisë, Ilir Meta akuzohet për tre vepra penale, përfshirë korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie. Dy nga rastet e korrupsionit, sipas SPAK, janë kryer në bashkëpunim.
Monika Kryemadhi, ish-bashkëshortja e Metës, akuzohet për korrupsion pasiv në dy raste, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie.
Në të njëjtën dosje, Pirro Xhixho akuzohet për korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë, të kryer në bashkëpunim.
Ndërsa Fatime Kryemadhi, nëna e Monika Kryemadhit, akuzohet për pastrim parash, së bashku me Ema Çokun.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



