E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
SPAK ‘zbarkon’ te Koncesioni i Laboratorëve, Allajbeu kërkon celularin në GJKKO
Lajme

SPAK ‘zbarkon’ te Koncesioni i Laboratorëve, Allajbeu kërkon celularin në GJKKO

Të paktën nëntë kërkesa për kthimin e sendeve të sekuestruara pritet të shqyrtohen në GJKKO, në kuadër të një hetimi që deri më tani nuk ishte bërë publik. Burime për mediat pranë dosjes bëjnë me dije se kontrollet e kryera rreth 18 ditë më parë nga SPAK lidhen me hetimet intensive për koncesionin e laboratorëve në shëndetësi, një kontratë me vlerë mbi 100 milionë euro.

Gjatë kontrolleve janë sekuestruar dokumente, celularë, kompjuterë dhe materiale të tjera që konsiderohen me rëndësi për hetimin në disa kompani të dyshuara si të lidhura me biznesmenin Klodjan Allajbeu dhe rrjetin e kompanive që lidhen me Spitali Amerikan. Gjatë kontrollit personal ndaj Allajbeut është sekuestruar edhe telefoni i tij celular, për të cilin ai ka kërkuar rikthimin përmes gjykatëses së hetimeve paraprake Elsa Ulliri.

Gjykata do të shqyrtojë në total nëntë kërkesa për kthim sendesh të sekuestruara, ku përveç Allajbeut, kërkesë ka paraqitur edhe vetë Spitali Amerikan për dokumentet dhe materialet e marra gjatë kontrolleve.

Mes kompanive të përfshira është edhe koncesionari “Laboratory Networks”, i krijuar nga bashkimi i disa bizneseve për të fituar menaxhimin e laboratorëve në spitalet rajonale dhe bashkiake në vitin 2019. Administratorit të saj, Sokol Ramizi, i është sekuestruar telefoni gjatë kontrollit personal dhe ai kërkon rikthimin e tij. Ramizi rezulton gjithashtu pronar i shoqërisë T-MEDSS, e cila merret me tregtimin e pajisjeve mjekësore dhe laboratorike.

T-MEDSS është shoqëria mëmë e Labopharma sh.p.k., e cila zotëron 41.7% të koncesionit të laboratorëve. Edhe në ambientet e Labopharma janë kryer kontrolle me urdhër të prokurores së çështjes Dorina Bejko. Kontrolle janë kryer edhe për kompaninë AB Laboratory Solution BV, e regjistruar në Holandë dhe pjesë e konsorciumit me 33.3%.

Për llogari të kësaj kompanie, kontrollet janë ushtruar në shoqërinë PEGASUS sh.p.k., me pronar biznesmenin grek Janis Karathano, i përmendur si i lidhur me Allajbeun. Pegasus është shoqëria mëmë e AB Laboratory Solution BV. Si Labopharma ashtu edhe Pegasus kanë paraqitur kërkesa në gjykatë për kthimin e materialeve të sekuestruara.

Kompania e tretë në konsorcium është francezja Exalab, e cila zotëron 25% të aksioneve dhe u konsiderua si plotësuese e kritereve teknike kur u dha koncesioni. Pronësia përfundimtare e kësaj kompanie nuk është bërë plotësisht transparente dhe mbetet e paqartë nëse hetimet kanë përfshirë verifikime të thelluara mbi të.

Në kuadër të hetimeve, prokurorja Bejko ka urdhëruar kontrolle personale edhe ndaj disa personave të lidhur me Spitalin Amerikan dhe strukturat e tij financiare: Osvelda Qafa, drejtuese e operacioneve financiare; Onejda Ymeraj, një nga drejtueset kryesore të spitalit prej vitit 2014; si dhe bashkëshorti i saj Arbër Teqja. Edhe këta persona kanë kërkuar në GJKKO kthimin e telefonave të sekuestruar.

Hetimi lidhet me kontratën koncesionare për shërbimin laboratorik në spitalet universitare, rajonale dhe disa spitale bashkiake, e firmosur në prill 2019. Procedurat për dhënien e këtij koncesioni kishin nisur që në vitin 2015.

Një raport i Kontrollit të Lartë të Shtetit i tetorit 2021 evidentoi shkelje të rënda dhe arriti në përfundimin se koncesioni ishte dhënë në kundërshtim me ligjin për koncesionet dhe partneritetin publik-privat. Pas auditimit, KLSH kallëzoi në SPAK shtatë anëtarë të komisionit që kishte dhënë koncesionin dhe kërkoi rishikimin e kontratës nga Ministria e Shëndetësisë.

Hetimet për koncesionin e laboratorëve konsiderohen ndër më të rëndësishmet në sektorin e shëndetësisë dhe aktualisht janë në fazë intensive, ndërsa gjykata pritet të vendosë për kërkesat e para për kthimin e materialeve të sekuestruara.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.