E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
SPAK zbulon të vërtetën e telefonit të kryepolicit Ilir Proda
Lajme

SPAK zbulon të vërtetën e telefonit të kryepolicit Ilir Proda

Prokuroria e Posaçme ka përgënjeshtruar raportimet sipas të cilave i është sekuestruar telefoni celular Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda. Në kuadër të programit të transparencës, SPAK i është përgjigjur një kërkese zyrtare, duke sqaruar se një veprim i tillë nuk ka ndodhur.

Në përgjigjen e saj, Prokuroria e Posaçme thekson se Byroja Kombëtare e Hetimit nuk ka kryer sekuestrim të telefonit të Drejtorit të Policisë së Shtetit, duke mohuar në mënyrë të qartë pretendimet e qarkulluara së fundmi në media.

Disa muaj më parë, ishte raportuar se SPAK kishte ngritur dyshime se drejtues të Policisë së Shtetit mund të kishin nxjerrë informacion të klasifikuar hetimor, përpara se vendimet përkatëse të gjykatës të viheshin në zbatim. Në këtë kontekst, ishte përfolur se tre drejtues policie, të cilët kishin dijeni për një operacion të rëndësishëm, i ishin nënshtruar sekuestrimit të pajisjeve celulare, mes tyre edhe drejtori i atëhershëm i Policisë së Elbasanit, Ilir Proda.

Në kuadër të këtij operacioni, nga 33 urdhër-arreste të miratuara nga Gjykata e Posaçme me kërkesë të SPAK, janë ekzekutuar vetëm 13, dy prej të cilëve ndaj personave që ndodheshin tashmë në arrest për vepra të tjera penale. Për pjesën tjetër të personave të shpallur në kërkim, autoritetet kanë pasur informacione se disa prej tyre ndodheshin ende në territorin shqiptar, por dyshohet se janë paralajmëruar dhe për këtë arsye nuk është arritur arrestimi i tyre.

Në dosjen hetimore të SPAK evidentohet se grupi i vëllezërve Çopja ka përfituar ndihmë edhe nga individë të përfshirë në institucione të drejtësisë. Mes tyre përmendet një gjyqtare, Pajtime Fetahu, ndaj së cilës është vendosur masa e sigurisë “arrest shtëpie”, si dhe një punonjëse e administratës gjyqësore të Gjykatës së Shkallës së Parë, e cila dyshohet se u siguronte të dhëna sekrete. Po ashtu, sipas SPAK, vëllezërit Çopja kishin rekrutuar edhe dy punonjës policie në veprimtarinë e tyre kriminale.

Operacioni i zhvilluar nga autoritetet zbardhi një seri ngjarjesh të rënda kriminale, përfshirë katër atentate që lanë pas gjashtë viktima. Mes tyre përfshihet masakra e Bradasheshit, ku humbën jetën Endrit Alibej, Albert Dylgjeri dhe Erdal Duranay, vrasja e Klevis Kapllanit, atentati ku mbeti i vrarë Klevin Baho, si dhe vrasja e Andi Zylyfit. Sipas SPAK, këto krime janë urdhëruar nga Franc dhe Hajdar Çopja.

Po ashtu, hetimet dokumentojnë edhe 16 tentativa të dështuara vrasjeje, përfshirë katër tentativa ndaj Erion Alibejt, dy ndaj Nuredin Dumanit, atentatin e dështuar ndaj Kei Pikut dhe Irfan Azizit, si dhe tentativa të tjera ndaj persona të tjerë rivalë, identiteti i të cilëve ende nuk është bërë publik.

Sipas Prokurorisë së Posaçme, vëllezërit Çopja dyshohen gjithashtu se kanë qenë truri organizativ i grabitjes së Rinasit, një nga ngjarjet më të bujshme kriminale në vend.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.