Strazimiri sulmon Marta Kos: Vjen këtu dhe puth në gushë Ramën
Në seancën plenare të Kuvendit, deputeti i Partisë Demokratike, Gent Strazimiri, solli në vëmendje deklaratat e Komisioneres për Zgjerimin në Bashkimin Europian, Marta Kos, duke theksuar se edhe institucionet europiane kanë shprehur qëndrime kritike ndaj ligjit për zonat e mbrojtura në Shqipëri.
Gjatë fjalës së tij, Strazimiri u ndal te projekti në Zvërnec dhe lidhja e tij me standardet që vendi duhet të përmbushë në rrugën drejt integrimit europian.
“Për projektin në Zvërnec, mbrojtja e mjedisit është pjesë e kritereve të anëtarësimit në BE dhe ka një sërë ligjesh që duhet të ndryshohen. Para se të nisin protestat, kishim rënë dakord me qeverinë shqiptare që të shfuqizoheshin amendamentet e vitit 2024 për zonat e mbrojtura dhe për investimet strategjike”, deklaroi ai.
Deputeti demokrat theksoi se këto nuk janë qëndrime të opozitës, por referim i drejtpërdrejtë i deklaratave të Komisioneres europiane.
“Nuk është citimi i Berishës, është citimi i shoqes Marta Kos që vjen këtu dhe puth në gushë Edi Ramën. Kjo është kërkesë e BE dhe jo vetëm e opozitës. Nuk bëhet shpjegim vote kur është pro, por kur është kundër, Niko”, u shpreh Strazimiri.
Sipas tij, çështja e zonave të mbrojtura dhe ndryshimet ligjore të miratuara së fundmi mbeten një pikë kyçe në raportet mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian, duke ndikuar drejtpërdrejt në procesin e integrimit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



