Studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut drejt triumfit historik
RMV po përgatit draftin që provimi i jurisprudencës të kryhet në gjuhën shqipe
Maqedonia e Veriut pritet të finalizojë brenda kësaj jave draftin e vendimit që do t’u hapë rrugë studentëve shqiptarë për të zhvilluar provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe.
Sipas autoriteteve, drafti përfundimtar është në fazën e fundit dhe miratimi i tij mund të ndodhë shumë shpejt. Më pas, do të vendoset nëse propozimi do të dërgohet për vlerësim në Komisionin e Venecias, si pjesë e procesit për garantimin e përputhshmërisë me standardet ligjore ndërkombëtare.
Çështja e përdorimit të gjuhës shqipe në provimet profesionale ka nxitur reagime të forta, veçanërisht nga studentët shqiptarë në Shkup, të cilët kanë organizuar protesta përpara Ministrisë së Drejtësisë. Ata kanë kërkuar barazi në të drejta dhe mundësi për të zhvilluar provimet në gjuhën e tyre amtare.
Protestat kanë gjetur mbështetje edhe jashtë vendit. Në Tiranë u organizua një marshim simbolik nga studentë shqiptarë, të cilët shprehën solidaritet me bashkëmoshatarët e tyre në Maqedoninë e Veriut, duke kërkuar respektimin e të drejtave gjuhësore.
Ndërkohë, institucionet kanë bërë të ditur se kjo nismë nuk kufizohet vetëm te provimi i jurisprudencës. Në shqyrtim janë mbi 40 provime të ndryshme profesionale, për të cilat po kërkohet një zgjidhje që garanton përdorimin e gjuhës shqipe.
Autoritetet theksojnë se nuk bëhet fjalë për hartimin e një ligji të ri, por për ndërhyrje në legjislacionin ekzistues, me synim përshtatjen e tij me Kushtetutën dhe ligjin për përdorimin e gjuhëve.
Ky zhvillim shihet si një hap i rëndësishëm drejt forcimit të të drejtave gjuhësore dhe barazisë për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



