Stuhia e fortë me reshje intensive godet Vlorën
Një stuhi e fuqishme ka përfshirë mbrëmjen e së martës qytetin e Vlorës, duke i dhënë fund temperaturave të larta të ditëve të fundit. Reshjet intensive të shiut, erërat e forta dhe shkarkesat elektrike kanë ndryshuar brenda pak minutash situatën atmosferike në qytetin bregdetar.
Për shkak të përkeqësimit të motit, shumë pushues janë detyruar të largohen nga plazhet, ndërsa era e fortë dhe shiu kanë përfshirë jo vetëm qytetin, por edhe zonat përreth.
Deri në këto momente nuk raportohen dëme të konsiderueshme materiale apo persona të lënduar. Autoritetet po ndjekin nga afër zhvillimin e situatës dhe mbeten në gatishmëri në rast të përkeqësimit të mëtejshëm të kushteve atmosferike.
Ndërkohë, moti i keq ka prekur edhe veriun e vendit. Në qarkun e Kukësit, erërat e forta kanë shkaktuar probleme në rrjetin e shpërndarjes së energjisë elektrike, veçanërisht në Bashkinë Has.
Sipas OSHEE Kukës, fshati Nikoliq dhe Njësia Administrative Fajzë kanë mbetur pa energji elektrike pasi një lis është rrëzuar mbi linjën e tensionit të mesëm. Në disa zona janë dëmtuar edhe shtylla të rrjetit të transmetimit, ndërsa ekipet e avarive po punojnë për rikthimin e furnizimit.
Meteorologët kishin paralajmëruar më herët kalimin e një sistemi të fuqishëm stuhish mbi Ballkanin Perëndimor. Sipas parashikimeve, zonat më të ekspozuara ishin jugu i Kroacisë, jugu i Bosnjë-Hercegovinës, Mali i Zi dhe Kosova, ndërsa Shqipëria ishte përfshirë në Nivelin 1 të rrezikut, me mundësi për reshje të dendura, erëra të forta, shkarkesa elektrike dhe breshër në zona të veçanta.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



