Të apasionuarit e Vespa-s nga 17 shtete zbarkojnë në Durrës
Qyteti i Durrësit është kthyer në një qendër të gjallë të kulturës motoristike, teksa mbi 400 të apasionuar pas Vespa nga 17 shtete të ndryshme u mblodhën për të festuar 20-vjetorin e themelimit të klubit “Vespa Shqipëri”.
Ky aktivitet e ktheu qytetin në një pikëtakim të veçantë të energjisë, stilit dhe pasionit mbi dy rrota.
Qyteti bregdetar u shndërrua në një paradë spektakolare ngjyrash dhe tingujsh. Dhjetëra modele ikonike të Vespa-s, nga variantet klasike vintage deri te modelet më moderne, përshkuan bulevardet kryesore dhe shëtitoren buzë detit, duke tërhequr vëmendjen e qytetarëve dhe turistëve.
Aktiviteti u shoqërua me performanca muzikore dhe ndalesa simbolike në pika historike të qytetit, duke e kthyer këtë përvjetor jo vetëm në një festë komunitare, por edhe në një promovim të rëndësishëm të turizmit dhe kulturës urbane në Durrës.
Historia e Vespa-s daton që nga viti 1946 në Itali, kur kompania Piaggio prezantoi modelin e parë si një mjet praktik dhe ekonomik për lëvizjen e përditshme pas Luftës së Dytë Botërore. E projektuar nga inxhinieri Corradino D’Ascanio, Vespa u dallua për dizajnin inovativ dhe lehtësinë në përdorim.
Gjatë dekadave, Vespa është shndërruar në një ikonë globale të stilit italian dhe kulturës urbane, duke bashkuar komunitete nga e gjithë bota, ashtu siç ndodhi edhe këtë herë në Durrës.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



