E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
TË GJITHË JANË TË BARABARTË PËRPARA LIGJIT, POR DISA JANË MBI NENIN 242!
Lajme

TË GJITHË JANË TË BARABARTË PËRPARA LIGJIT, POR DISA JANË MBI NENIN 242!

Në librin “Ferma e Kafshëve” të George Orwell-it, revolucioni nisi me parullën e barazisë, që nënkuptonte se të gjitha kafshët ishin të barabarta, derisa një ditë, në mur u shtua një fjali e vogël: “por disa janë më të barabarta se të tjerat”.

Në Shqipëri, ky revolucion i ri quhet “Ndryshim i Nenit 242 i Kodit të Procedurës Penale”, ku sipas propozimit të Kryeministrit Rama, pezullimi i një ministri në fazë paraprake qenka i pajustifikueshëm, sepse dëmton funksionin institucional. Pra, hetimi penal nuk prek më vetëm individin, por shtetin. Dhe për të mbrojtur shtetin, duhet mbrojtur ministri, ose “de juro” vetë qeveria. Kështu që është më mirë të mos preket askush.

Për ata që nuk e kanë lexuar “Fermën e Kafshëve”, novela demaskon mekanizmat e korrupsionit dhe degradimit të pushtetit në sistemet totalitare, duke përdorur strukturën e një përralle me kafshë për të dhënë një mesazh të thellë politik.
Ngjarja zhvillohet në një fermë ku kafshët rrëzojnë zotërinë e tyre me premtimin për barazi dhe drejtësi, por administrimi i ri, i udhëhequr nga derrat, nis të devijojë gradualisht nga idealet fillestare. Fillimisht privilegjet justifikohen në emër të “të mirës së përbashkët”, derisa ato kthehen në përvetësim të hapur, që nga qumështi e deri te zhvendosja në shtëpinë e ish-zotërisë së tyre.
Në fund, transformimi është aq i plotë sa derrat adoptojnë sjelljet dhe veset e njerëzve që dikur i përmbysën, duke e bërë të pamundur dallimin mes shtypësve të vjetër dhe pushtetarëve të rinj.

Në Shqipëri, ndryshimi i Nenit 242 në Kodin e Procedurës Penale, po bën të njëjtën gjë me drejtësinë, ku aktualisht pika 2 e këtij neni përjashton nga pezullimi “personat e zgjedhur sipas ligjit elektoral”, ndërsa propozimi i ri e zgjeron listën duke përfshirë Presidentin, Avokatin e Popullit, Kryeministrin, Zëvendëskryeministrin, ministrat, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe kryetarin e KLSH-së. Pra, lista e “të paprekshmëve” po zgjerohet, duke e kufizuar drejtësinë edhe më shumë.

Në thelb, mesazhi i kryeministrit Rama është i qartë. Disa poste janë aq të rëndësishme saqë nuk mund të preken as nga masa paraprake e pezullimit. Jo sepse janë të pafajshëm, por sepse janë të pushtetshëm.

Në romanin e Orwell-it, ligjet ndryshoheshin natën, sikurse parimet përditësoheshin sipas interesit të derrave. Por edhe këtu, ‘në nahijen tonë’, do të shprehej i ndjeri profesori im Agron Bala, kemi të njëjtën frymë: një formulë elegante për të mbyllur boshllëqet e interpretimit kushtetues, që në praktikë do të thotë mbyllje e hapësirës së ndërhyrjes së drejtësisë ndaj pushtetit.

Argumenti se pezullimi i një ministri “bllokon institucionin” është një sofizëm politik, sepse institucioni nuk është personi, ashtu si ministria nuk është ministri, dhe shteti nuk është kryeministri. Në parim nëse një individ është nën hetim serioz, funksioni duhet të mbrohet pikërisht duke e ndarë nga individi, jo duke e mbrojtur atë prej hetimit. Por kjo kërkon një parim tjetër që “Ferma e Kafshëve” e humbi herët”, që është barazia përpara rregullit.

Ndryshimi i nenit 242, kryesisht pika 2 e tij, nuk është teknik. Përkundrazi, ai krijon një kastë të re kushtetuese, një shtresë që nuk mund të preket në fazën më delikate të hetimit. Dhe pikërisht aty ku drejtësia duhet të jetë më e fortë në raport me pushtetin, ajo dobësohet me ligj.

Pse duhet të ulëritet nga qytetarët dhe shoqëria civile?! Sepse rreziku është që nesër të mos dallojmë më kush është shteti dhe kush është pushteti. Njësoj si tek “Ferma e Kafshëve” kur në fund të romanit kafshët shohin nga dritarja dhe nuk arrijnë më të dallojnë kush është derr e kush është njeri. Sepse kur ligji ndryshohet për të mbrojtur funksionin nga hetimi, në të vërtetë po mbrohet funksionari nga përgjegjësia. Po mbrohet Rama dhe pasardhësit e tij.

Dhe në atë moment, fjalia mbi mur bëhet e qartë: “Të gjithë janë të barabartë përpara ligjit. Por disa janë mbi nenin 242.”

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.