Të krenohesh me INJORANCËN!
Naim Noka
Një vajzë, live në “Top Channel”, në mes të ditës për “E DIELL”, deklaron me mburrje dhe krenari: “Nuk kam lexuar kurrë një libër në jetën time!”
Po çfarë lloj mesazhi japim ne si shoqëri kur kjo lloj injorance jo vetëm që tolerohet, por promovohet në emisionet televizive?
Kjo nuk është thjesht e trishtueshme, por alarmante. Të rinjtë po lavdërohen për padijen e tyre, duke e shndërruar injorancën në një farë statusi social, ndërsa dija dhe kultura po trajtohen si diçka e tepërt, madje e turpshme.
Kjo lloj krenarie e rrezikshme është një dritë jeshile për boshllëkun intelektual që po përhapet me shpejtësi. Kur të rinjtë fillojnë të mburren për faktin që nuk kanë prekur një libër, atëherë kemi hyrë në një fazë të dekadencës totale.
Nuk është më vetëm kultura e leximit që po zhduket; është kultura e dijes, e mendimit kritik, e imagjinatës, dhe e zhvillimit të vetë njeriut si individ.
Kur leximi kthehet në një objekt përqeshjeje, çfarë shprese ka për përparim shoqëror?
Shoqëri që nuk lexon, nuk ecën. Ajo ngec në mediokritet dhe padituri, duke u bërë terren pjellor për manipulime dhe autoritarizëm.
Këta të rinj, krenarë për padijen e tyre, janë sinjali më i qartë që jemi duke rrezikuar të humbasim çdo mundësi për t’u zhvilluar si shoqëri. Mirë që ishte Monika Stafa në panel dhe shpëtoi pak ‘nderin’ e emisionit në TV, ditën për “e diell”, ndryshe vajza që deklaroi me krenari se nuk kishte lexuar kurrë libra në jetën e saj, do mburrej e pashqetësuar dhe krenare në pellgun e injorancës së saj modeste.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



