Të rinjtë në protestë para dyerve të SPAK-ut
Një grup të rinjsh kanë zhvilluar edhe këtë të hënë një protestë përpara ambienteve të Prokurorisë së Posaçme (SPAK), duke kërkuar që institucionet e drejtësisë të japin përgjigje për disa prej çështjeve më të debatuara në vend.
Protestuesit u paraqitën me pankarta në duar, përmes të cilave kërkuan që SPAK të mos lërë në harresë dosjet për të cilat, sipas tyre, ende nuk ka një përgjigje përfundimtare. Në mesazhet e tyre u përmendën çështje të tilla si Porti i Durrësit, dosja McGonigal, projekti në Zvërnec, patronazhistët dhe hetimet për inceneratorët.
Të rinjtë kërkuan nga organet e drejtësisë që të hetojnë raste që ata i konsiderojnë si shembuj të keqqeverisjes dhe korrupsionit. Një tjetër kërkesë e protestuesve ishte vendosja përpara përgjegjësisë ligjore e zyrtarëve që, sipas pretendimeve të tyre, mund të jenë të përfshirë në këto çështje.
Protesta para SPAK-ut nuk është një zhvillim i izoluar. I njëjti grup është mbledhur edhe në raste të tjera përpara institucionit, duke kërkuar hetimin e zyrtarëve të lartë dhe duke artikuluar kërkesa politike e penale ndaj figurave të mazhorancës, përfshirë kryeministrin Edi Rama dhe ish-zëvendëskryeministren Belinda Balluku.
Përmes protestave të përsëritura, të rinjtë synojnë të rikthejnë në vëmendjen publike dosjet që i konsiderojnë ende të pazbardhura dhe të kërkojnë transparencë mbi ecurinë e hetimeve. Ata kërkojnë që drejtësia të bëjë të ditur nëse këto çështje do të shoqërohen me përgjegjësi konkrete për personat që mund të rezultojnë të përfshirë.
Protestuesit kanë paralajmëruar se do të vijojnë tubimet përpara SPAK-ut, duke këmbëngulur në kërkesat e tyre për transparencë, hetim dhe drejtësi.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



