Telefoni i gruas së Evis Berberit karrem për Benet Becin

Mesazhet e zbuluara në telefonin e shtetases Adela Ruko, bashkëshortes së ish-kreut të ARRSH-së të arrestuar nga SPAK, Evis Berberit, kanë çuar në marrjen të pandehur të Benet Becit dhe 6 anëtarëve të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, të cilët vepronin pranë Korporatës Elektro-Energjitike Shqiptare.

Benet Beci, aktualisht Kryetari i Bashkisë Shkodër, dhe 6 anëtarët e komisionit, Jonid Kazani, Edlira Mitrushi, Yllka Nishku, Rudin Gjoni, Adela Ruko, Premtim Dauti, janë vënë në hetim për “Shkeljen e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”,kryer në bashkëpunim.

Sipas dosjes hetimore, telefoni i Adela Rukos, është marë për llogari të dosjes hetimore që SPAK ka hapur kundër Evis Berberit.

Por teksa aparati i është nënshtruar eskpertimit kompjuterik, është konstatuar se Adela Ruko, gjatë periudhës së vitit 2019, ka pasur komunikime me Benet Becin, që në atë kohë drejtonte institucionin e KESH-it.

Adela Ruko, në këtë kohë ka qënë kryetare e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, dhe sipas komunikimeve përmes mesazheve, rezulton që ajo të ketë marë orientime nga titullari i KESH, Benet Beci, dhe bashkëshorti i saj, Ervis Berberi, me qëllim paracaktimin e kompanisë fituase të tenderit me objekt “Zhvillimi i Strategjisë për Sektorin Energjetik”.

Ky tender u shpall nga KESH, në 13 janar të vitit 2020 me fond limit të paracaktuar prej 69.5 milionë lekësh ose 695 mijë euro pa tatim mbi vlerën e shtuar. Bashkë me TVSH-në vlera e fondit limit ishte 834 mijë euro.

Studimi, i cili do të kryhej në bashkëpunim me profesorë të Universitetit të “Harvardit”, duket se kishte para për të ndarë edhe për dy ish-zyrtarët, të cilët donin jo pak por mbi 40 % të fondit, Benet Beci dhe Ervis Berberi, gruaja e të cilit drejtonte komisionit ku do shpallej fituese kompania e miqve të tyre.

Në garë pati vetëm një ofertë, që ishte ajo e kompanisë Consulting & Management Albania SHPK në pronësi të biznesmenit Ervis Myftari, e cila ofroi ta kryente shërbimin me vlerën 69.35 milionë lekë pa tvsh ose sa 99.8 për qind e fondit limit.

Një ditë pas tenderit, KESH shpalli fituese pikërisht kompaninë e Ervis Myftarit, e cila me sa duket ishte instrumenti që do të ndante paratë sipas formulës 500 mijë për profesorët dhe 330 mijë për ata me dy klasë shkollë.

Në një nga SMS-të e gjetura nga prokurorët e SPAK, duke ju referuar tenderit për studimin, Evis Berberi i shkruan Benet Becit: “…500 mijë euro për profesorët e Harvardit, 320 mijë euro për ne me dy klasë shkollë…”./Ora News

Publikuar nga Publik Media