E mërkurë, 14 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Tensione për ‘Territorialen’, Boçi largohet pas debatit me Maznikun
Lajme

Tensione për ‘Territorialen’, Boçi largohet pas debatit me Maznikun

Mbledhja e Komisionit të Posaçëm për Reformën Territoriale është shoqëruar me tensione të forta dhe përplasje mes përfaqësuesve të opozitës dhe maxhorancës. Debati kulmoi me largimin nga salla të bashkëkryetarit demokrat, Luçiano Boçi, pas një shkëmbimi të ashpër me bashkëkryetarin socialist, Arbjan Mazniku.

Situata u tensionua gjatë diskutimeve, kur Mazniku ndërhyri duke i kërkuar Boçit të përmbyllte fjalën. Sipas tij, përfaqësuesit e opozitës kishin zgjatur diskutimet për një kohë të gjatë, duke mos u lënë hapësirë deputetëve të maxhorancës për të marrë fjalën.

Momenti që përshkallëzoi përplasjen ishte ndërprerja e mikrofonit të Boçit nga ana e Maznikut. Ky veprim u konsiderua i papranueshëm nga deputeti demokrat, i cili reagoi menjëherë duke e cilësuar ndërhyrjen si shkelje të etikës dhe rregullave të funksionimit të komisionit.

Boçi theksoi se ndërprerja e fjalës së tij përbënte një precedent të rrezikshëm dhe cenonte standardet e debatit parlamentar. Ai u shpreh se nuk mund të pranojë ndërhyrje të tilla gjatë një parashtrimi, duke nënvizuar se çdo deputet duhet të ketë të drejtën të shprehë qëndrimin pa u ndërprerë.

Nga ana tjetër, Mazniku këmbënguli se situata kishte dalë jashtë kontrollit për shkak të kohëzgjatjes së diskutimeve nga opozita. Sipas tij, maxhoranca nuk kishte pasur mundësi të shprehej, ndaj ishte e nevojshme të vendosej një balancë në ndarjen e kohës së debatit.

Përplasja verbale mes dy bashkëkryetarëve u zhvillua në një klimë të tensionuar, ndërsa mbledhja po transmetohej drejtpërdrejt. Në fund, Boçi vendosi të ndërpresë pjesëmarrjen dhe u largua nga salla, duke lënë pas një situatë të ndezur politike.

Pjesë nga debati:

Boçi: Mund ta mbyll se nuk është etike. Jo me ma hequr mua mikrofonin…

Mazniku: Kanë folur nga ana e opozitës, nuk ka fol asnjë nga maxhoranca.

Boçi: Nuk është etike që ndërhyn në fjalën time. Tani e tepruat. Nuk po bëj pyetje, po bëj parashtrim. Unë e kuptoj se fjala pyetje ju axhiton. Ta përfundoj une.

Mazniku: Nuk mund të vazhdojë kjo histori.

Boçi: Nuk bëhet kjo sfidë në këtë formë se jemi edhe live. Në komision nuk pranoj sfida të tilla. Parashtrimin tim nuk dua të ma ndërpresë kush, asnjë deputeti s’mund t’ja ndërpresim edhe ne dhe jo më të ndërhyjmë ne si bashkëdrejtues. Këtu stop orkestra.

Mazniku: Jepni fjalën.

Boçi: Mos bëj si kalama, ta mbaroj. Ça është kjo ndërhyrje.

Mazniku: Keni dy orë që nuk i jepni fjalën një personi të maxhorancës.

Boçi: Ja mbaje mikrofonin e fute në xhep. Kjo tregon autoritetin tënd.

Mazniku: Mos abuzoni me hapësirën që iu është lënë.

Boçi: Mbaje ta gëzosh.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.