Tensione Shqipëri-Serbi, Tirana dhe Beogradi përplasen për Kosovën
Një deklaratë e presidentit serb Aleksandër Vuçiç për mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër ka sjellë një përplasje të re diplomatike mes Shqipërisë dhe Serbisë.
Përplasja vjen në një moment kur marrëdhëniet mes Tiranës dhe Beogradit po shkonin drejt një klime më pozitive, veçanërisht pas negociatave për hapjen e dy zyrave konsullore, përfshirë një konsullatë serbe në Shkodër.
Reagimi i parë ka ardhur nga Tirana. Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka kundërshtuar paralajmërimin e Vuçiç dhe ka kërkuar që Serbia të respektojë rregullat ndërkombëtare që lidhen me ujërat ndërkufitare.
Hoxha ka theksuar se çdo ndërhyrje që mund të ndryshojë rrjedhën, sasinë apo cilësinë e ujërave që prekin Kosovën duhet të kryhet në mënyrë transparente dhe mbi bazën e vlerësimeve shkencore.
“Shqipëria pret që Serbia të respektojë plotësisht detyrimet e saj ndërkombëtare dhe parimet e fqinjësisë së mirë. Çdo projekt ose masë që mund të ndikojë në rrjedhën, sasinë apo cilësinë e ujërave që prekin Kosovën duhet të trajtohet me transparencë, mbi bazën e të dhënave shkencore, me vlerësim të plotë të ndikimit ndërkufitar dhe përmes konsultimit me palën e prekur. Uji nuk mund të përdoret si instrument presioni politik dhe as si mjet për të ndëshkuar një vend apo një popullsi tjetër”, deklaroi ministri shqiptar.
Por përgjigjja nga Beogradi ka qenë e menjëhershme dhe e ashpër. Ministri i Jashtëm serb, Marko Djuriç, ka kritikuar ndërhyrjen e Tiranës, duke argumentuar se Shqipëria nuk ka bazë territoriale apo hidrologjike për të pasur rol në mënyrën se si Serbia administron burimet ujore brenda territorit të saj.
“Lumi Ibër nuk kalon nëpër Shqipëri dhe Shqipëria nuk është shtet breglumor në pellgun e tij. Për këtë arsye, Shqipëria nuk ka asnjë bazë territoriale apo hidrologjike për të pretenduar një rol në përcaktimin e mënyrës se si Serbia menaxhon burimet ujore brenda territorit të saj, në përputhje me Kushtetutën, ligjet dhe detyrimet e saj ndërkombëtare”, u shpreh Djuriç.
Më tej, ministri serb e ka cilësuar reagimin e Tiranës si të motivuar politikisht. Sipas tij, ndërhyrja e Shqipërisë në këtë çështje vjen në një kohë kur, sipas Beogradit, po shpërfillen çështje që Serbia i konsideron të rëndësishme për popullsinë serbe dhe pronat e saj.
“Vendimi i Tiranës për t’u përfshirë në këtë çështje, ndërkohë që shpërfill presionin sistematik ndaj popullsisë serbe dhe sulmet ndaj pronës serbe, ngre në mënyrë të pashmangshme pikëpyetje për motivet politike të kësaj ndërhyrjeje”, deklaroi Djuriç.
Përplasja diplomatike mes dy vendeve vjen vetëm pak ditë pasi Tirana dhe Beogradi kishin konfirmuar se po zhvillonin diskutime për hapjen e dy zyrave konsullore.
Në kuadër të këtyre negociatave është diskutuar hapja e një zyre shqiptare në Bujanoc, në Luginën e Preshevës, si dhe e një zyre serbe në Shkodër.
Në fund të muajit korrik, ministrat e Jashtëm të Shqipërisë dhe Serbisë kishin dhënë sinjale pozitive për ecurinë e negociatave. Megjithatë, njoftimi për hapjen e zyrave konsullore u shoqërua me reagime dhe kundërshtime të shumta në Shqipëri.
Tashmë, deklaratat për lumin Ibër kanë rikthyer tensionet në marrëdhëniet Tiranë-Beograd, duke vënë në pikëpyetje klimën e krijuar gjatë javëve të fundit dhe afrimin diplomatik të shfaqur përmes negociatave për zyrat konsullore.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



