Tensionet në Lezhë, një grua dhe një vajzë me urgjencë në spital
Protesta e studentëve dhe gjimnazistëve në Lezhë është shoqëruar me incidente dhe persona të lënduar. Sipas informacioneve paraprake, një grua dhe një vajzë kanë mbetur të plagosura pasi janë goditur nga gurët e hedhur gjatë tubimit.
Të dyja të lënduarat janë transportuar në spital, ku kanë marrë ndihmën e nevojshme mjekësore. Deri në këto momente, nuk ka informacion të plotë mbi gjendjen e tyre shëndetësore.
Ndërkohë, më herët, gjatë përplasjeve mes protestuesve dhe forcave të policisë, një nxënës është parë i shtrirë në tokë. Sipas të dhënave paraprake, i riu është rrëzuar teksa po ndiqej nga efektivët e policisë.
Ngjarjet kanë shtuar shqetësimin për sigurinë e qytetarëve dhe të të rinjve të përfshirë në protestë, ndërsa rrethanat e plota të incidenteve mbeten për t’u sqaruar.
Protestat në Lezhë janë pjesë e mobilizimit të studentëve dhe gjimnazistëve që prej ditëve të fundit kanë bojkotuar mësimin dhe kanë dalë në rrugë për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



