Tentuan të vrisnin me sëpatë një person, policia arreston 63-vjeçarin, në kërkim djali i tij. Detajet

Një ngjarje e rëndë është shënuar fshatin Shtyllas të Fierit, ku një konflikt për motive të dobëta përfundoi me plagosjen e një shtetasi me mjet prerës.Sipas informacioneve zyrtare nga Policia e Fierit, 58-vjeçari Llesh Marku u godit me sëpatë gjatë një përplasjeje fizike me dy persona – babë e bir të cilët dyshohet se kanë vepruar në bashkëpunim.Menjëherë pas njoftimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier kanë ndërhyrë me shpejtësi dhe kanë arrestuar një nga autorët e dyshuar, shtetasin Pashuk Paluca, 63 vjeç, ndërsa në kërkim u shpall djali i tij, shtetasi Ndue Paluca.

Njoftimi: Tentuan të vrisnin me mjet prerës një shtetas, pas një konflikti për motive të dobëta, vihet në pranga një nga autorët e dyshuar. Punohet për kapjen e autorit tjetër.Paraditen e djeshme, njoftohemi se në fshatin Shtyllas, është plagosur me mjet prerës një shtetas.Menjëherë pas njoftimit të marrë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier kanë shkuar në vendngjarje dhe falë reagimit në kohë kapën dhe shoqëruan një nga autorët e dyshuar.Shtetasi P. P. dhe djali i tij, shtetasi N. P., dyshohet se gjatë një konflikti për motive të dobëta, kanë goditur me mjet prerës (sopatë), shtetasin Ll. M., 58 vjeç, i cili ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve.Në përfundim të veprimeve procedurale, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Kundër Personit bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit P. P., 63 vjeç, për veprën penale “Vrasje me paramendim”, e kryer në bashkëpunim, e mbetur në tentativë.Po punohet intensivisht për kapjen e djalit të tij, shtetasit N. P., 40 vjeç, banues në fshatin Shtyllas.U sekuestrua në cilësinë e provës materiale mjeti prerës (sopatë), me të cilën autorët goditën 58-vjeçarin.Materialet i kaluan për veprime të mëtejshme Prokurorisë pranë Gjykatë së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier.

Publikuar nga Publik Media