Tërmeti i Tepelenës rreth dy orë në SPAK
Deputeti dhe ish-kryebashkiaku i Tepelenës, Tërmet Peçi, u paraqit këtë të mërkurë në ambientet e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), ku qëndroi për rreth dy orë.
Burime zyrtare nuk kanë bërë të ditur arsyen e kësaj paraqitjeje, ndërsa mbetet e paqartë nëse bëhet fjalë për një çështje konkrete apo për një proces verifikimi në vijim. Kjo nuk është hera e parë që Peçi thirret nga SPAK, çka shton interesin mbi natyrën e hetimeve që mund të jenë në zhvillim.
Në një komunikim të shkurtër me gazetarët pas daljes nga prokuroria, ai zgjodhi të mos japë detaje. I pyetur nëse paraqitja lidhet me raportet e tij me kryeministrin Edi Rama, Peçi shmangu një përgjigje të drejtpërdrejtë.
“ Nëse doni të bëni ironi… Këtë e dinë ata”, u shpreh ai, duke lënë të hapura interpretimet mbi arsyen e thirrjes.
Deklarata e tij e shkurtër dhe mungesa e transparencës nga institucionet përkatëse e mbajnë çështjen në kuadër spekulimesh, ndërsa pritet që në vijim të ketë më shumë qartësi rreth kësaj paraqitjeje në SPAK.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



