Ti, Halim që s’di këndim, Je vezir për arësim!
Naim Noka
Suksesi i Arsimit me libra falas
Arsimi në Shqipëri, dikur krenaria e një kombi që investonte te rinia si themeli i së ardhmes, sot po përjeton një krizë të thellë dhe të shumëanshme. Dekadat e fundit kanë dëshmuar një rënie të vazhdueshme të cilësisë së arsimit, duke sjellë rezultate zhgënjyese në testimet ndërkombëtare si PISA. Raportet e fundit nga PISA tregojnë një nivel alarmant të dobësisë së nxënësve shqiptarë në lëndë bazë si matematika, shkenca dhe lexim. Nxënësit tanë, për fat të keq, renditen ndër të fundit në Europë, duke ekspozuar dështimin e një sistemi që po e lë në hije të ardhmen e tyre.
Ajo që është edhe më shqetësuese është mungesa e një strategjie të qartë dhe të mirëpërcaktuar për të adresuar këtë situatë kritike. Në vend të kësaj, qeveria dhe veçanërisht Kryeministri Edi Rama, kanë zgjedhur të mbulojnë dështimet me propagandë dhe me masa sipërfaqësore që synojnë të tërheqin vëmendjen e publikut nga problemet reale.
Ogerta është e prerë që kur ishte në bashki vetëm për ministre. Nuk ka hiç rëndësi është për arsim apo shëndetësi. Kur Noli shkroi poemën “Sulltani dhe kabineti” jam shumë i sigurtë që as ai vetë nuk do ta çonde nëpër mend se do ishte shumë aktual në vitin 2024 në kabinetin e Efendi Ramës.
Ti, Halim që s’di këndim,
Je vezir për arësim;….
Të quash sukses në arsim shpërndarjen e librave falas për nxënësit e arsimit bazë dhe të mesëm është më e pakta hipokrizi.
Ndonëse kjo iniciativë mund të duket si një ndihmë për familjet, ajo nuk adreson çështjet themelore të sistemit arsimor: mungesën e mësuesve të kualifikuar, infrastruktura e degraduar e shkollave, dhe kurrikulat që nuk pasqyrojnë nevojat e tregut të punës së sotëm.
A mundet shpërndarja e librave falas të kompensojë për cilësinë e dobët të arsimit që po u ofrohet fëmijëve tanë?
A mundet propaganda të fshijë realitetin e hidhur që fëmijët shqiptarë janë duke u përgatitur për një të ardhme pa shpresë në një treg ndërkombëtar gjithnjë e më konkurrues?
Shifrat janë të qarta: Shqipëria po humbet betejën për arsimimin e brezave të ardhshëm, dhe sa më shumë të zvarritemi në marrjen e masave të vërteta, aq më e thellë do të jetë humnera ku po rënkon shoqëria jonë.
Përmirësimi i arsimit nuk mund të arrihet përmes fushatave mediatike apo masave të përkohshme. Duhet një reformë e thellë dhe e sinqertë, me përfshirjen e të gjithë aktorëve të shoqërisë, nga mësuesit, prindërit, nxënësit, deri te ekspertët e arsimit dhe shoqëria civile. Reforma nuk bëhet me arsimtarë që u kërkohet vota për partinë nëse duan vendin e punës por duke e depolitizuar. Rektorët, i cakton partia! Administratën e sistemon partia. Portalin e sistemon partia. Me një fjalë nëna parti është edhe libra edhe dije. Nëse shpresojmë të rikthejmë arsimin shqiptar në rrugën e duhur, për të përgatitur fëmijët tanë për të ardhmen që meritojnë duhet të investojmë më shumë para. Por e di nuk na dalin llogaritë; PPP duan lekun e tyre të përditshëm! Votimet e partisë janë te pragu i derës, ndaj ta gëzojmë Ogertën. Nuk do ju zhgënjejë me një video shumë të bukur përshëndetëse për fillim e vitit rë Ri Shkollor! Pastaj rikthehen tek zyra në rutinën e zakonshme “KÇK” dhe politikat zhvilluese të tenderimeve.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



