E hënë, 19 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Tirana ‘e përpirë’ nga betoni, ‘Ali Demi’ simbol i kaosit urban
Lajme

Tirana ‘e përpirë’ nga betoni, ‘Ali Demi’ simbol i kaosit urban

Pavarësisht problemeve të përsëritura me ligjin, ndërtuesi Fatmir Bektashi vijon aktivitetin e tij pa asnjë pengesë, duke shtuar çdo ditë kantiere të reja ndërtimi, ndërkohë që infrastruktura e zonës ku ai operon po shkon drejt degradimit total.

Në zonën e njohur si “Ali Demi” është ngritur një lagje e tërë pallatesh, ku deri më tani janë dhënë dhjetëra leje ndërtimi. Fillimisht, zhvillimi nisi me projektin “Mangalem 21”, i cili përfshinte ndërtimin e dhjetëra objekteve banimi. Më pas, u shtuan edhe projekte të tjera si “Kaimi” dhe “Kadiu”, duke e mbushur të gjithë kodrën përreth me ndërtime masive dhe duke e kthyer zonën në një bllok të dendur betoni.

Projekti i parë u promovua publikisht edhe nga kryeministri Edi Rama, ndërsa më vonë ndërtimet u shumuan pa ndalur, duke ndryshuar rrënjësisht fizionominë e zonës. Sot, sipas përllogaritjeve, komplekset përmbajnë rreth 3 mijë apartamente, që përkthehen në një popullsi prej afro 10 mijë banorësh – praktikisht sa një qytet i vogël në Shqipëri.

Ndryshe nga qytetet e kësaj madhësie, zona nuk ka as infrastrukturë rrugore të përshtatshme, as institucione arsimore dhe as shërbime shëndetësore. Megjithatë, ndërtimet vijojnë, ndërsa autoritetet duket se mbyllin sytë.

Pavarësisht lobimeve të fuqishme që kanë shoqëruar dhënien e këtyre lejeve, mbetet e paqartë nëse qeveria apo Bashkia e Tiranës kanë kryer ndonjëherë një studim serioz për kapacitetin infrastrukturor të zonës. Nuk ka asnjë plan të qartë për rrugë hyrëse apo dalëse, ndërkohë që parkimet janë shitur dhe hapësirat publike janë reduktuar ndjeshëm.

Situata më problematike paraqitet në rrugën “Pasho Hysa”, e cila shërben si aksi kryesor për hyrjen dhe daljen nga kompleksi. Segmenti që lidh këtë rrugë me zonën e “Ali Demit” është në gjendje të rëndë amortizimi: i ngushtë, praktikisht njëkalimësh, pa trotuare dhe pa ndriçim. Në orët e pikut, qarkullimi paralizohet plotësisht, ndërsa automjetet detyrohen të presin njëra-tjetrën për të kaluar.

Asfalti është zëvendësuar nga gropa të mëdha, ndërsa këmbësorët, përfshirë nënat me karroca për fëmijë, detyrohen të ecin në mes të rrugës, duke rrezikuar çdo ditë. Pavarësisht kësaj situate alarmante, nuk është hapur asnjë rrugë e re dhe nuk është ndërmarrë asnjë investim serioz në infrastrukturë.

Alternativat ekzistojnë: zgjerimi dhe rikonstruksioni i rrugës “Pasho Hysa”, hapja e një aksi të ri pranë ish-Burgut të Grave, apo lidhja nga zona e Xhamisë së “Ali Demit”. Por, deri më tani, këto mbeten vetëm mundësi teorike.

Sipas ligjit, një komunitet i kësaj madhësie ka të drejtë për rrugë funksionale, çerdhe, kopshte dhe shkolla. Madje, autoritetet duhet të kishin detyruar ndërtuesin që të kontribuonte në ndërtimin e këtyre objekteve ose të përdorte fondet e përfituara nga shitja e parkimeve për përmirësimin e infrastrukturës.

FOTO dhe VIDEO/ Makutëria e betonit, qeveria i jep leje për 50 pallate

Në vend të kësaj, ndërtuesi duket se “shpërblehet” me një leje tjetër ndërtimi. Në kodrën mbi kompleksin “Mangalem”, në një terren të thepisur, pritet të ndërtohet një pallat i ri, i quajtur “Nokia”, pranë depos së ujit dhe rrugës që lidh “Ali Demin” me Farkën.

Një tjetër ndërhyrje agresive urbane në një zonë që më parë ishte e përbërë nga banesa private dhe hapësira të gjelbra, e cila rrezikon të betonizohet edhe më tej, pa asnjë zgjidhje për problemin bazë: mungesën totale të infrastrukturës.

FOTO dhe VIDEO/ Makutëria e betonit, qeveria i jep leje për 50 pallate

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.