Tirana në kolaps! Gaz lotsjellës, molotovë dhe dhunë policore
Tirana është përfshirë nga tensione të forta gjatë protestës kombëtare të kësaj të shtune, ndërsa demonstruesit kanë vijuar marshimin në disa prej akseve kryesore të kryeqytetit, pavarësisht ndërhyrjeve të përsëritura të policisë. Pas përplasjeve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe sheshin “Skënderbej”, turma është zhvendosur në zonën e 9-katësheve, në Rrugën e Durrësit dhe në Rrugën e Kavajës.
Gjatë pasdites janë raportuar hedhje fishekzjarrësh dhe molotovësh nga protestuesit, ndërsa policia ka përdorur gaz lotsjellës dhe ujë me presion për të shpërndarë turmën. Përplasjet dhe lëvizjet e vazhdueshme të demonstruesve kanë shkaktuar bllokime të qarkullimit dhe vështirësi në disa prej rrugëve kryesore të qytetit.
Përplasje pranë selisë së PS-së, tymi mbulon zonën
Një nga episodet e tensionuara është regjistruar pranë selisë së Partisë Socialiste, ku protestuesit janë përballur me forca të shumta policore. Sipas raportimeve nga terreni, demonstruesit kanë hedhur fishekzjarrë, ndërsa efektivët janë përgjigjur me gaz lotsjellës.
Zona është mbuluar nga tymi, ndërsa përplasjet kanë vijuar në një kohë kur turma po përpiqej të lëvizte drejt qendrës së kryeqytetit.
Pas largimit nga zona e 9-katësheve, protestuesit kanë ndryshuar drejtim dhe janë kthyer në Rrugën e Durrësit, në afërsi të selisë së socialistëve. Prania e shtuar e policisë ka penguar avancimin e tyre drejt objektivit.
Protestuesit shpërndahen në disa akse të kryeqytetit
Pas incidenteve në qendër, demonstruesit janë ndarë në disa grupe. Një pjesë ka marshuar drejt Rrugës së Kavajës, ndërsa të tjerë janë parë në Rrugën e Durrësit dhe pranë sheshit “Skënderbej”, në zonën e Bankës së Shqipërisë.
Një grup tjetër është drejtuar në drejtim të Ministrisë së Arsimit, ndërsa një pjesë e protestuesve ka vijuar lëvizjen drejt Kryeministrisë. Ndërkohë, policia ka mbajtur forca të dislokuara në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe në pika të tjera të rëndësishme të Tiranës.
Më herët, pranë zonës së Ushtarit të Panjohur, protestuesit kanë tentuar të marshojnë drejt Parlamentit. Gjithashtu, kryqëzimi i 9-katësheve është bllokuar për një periudhë, pasi në rrugë janë vendosur kosha mbeturinash.
Policia ndërhyn edhe në rrugën “Mine Peza”
Një tjetër ndërhyrje është raportuar në rrugën “Mine Peza”, ku kanë mbërritur dhjetëra efektivë dhe automjete policore. Sipas raportimeve nga vendngjarja, forcat e rendit kanë ndërmarrë veprime për ndalimin e protestuesve që ndodheshin në zonë.
Me afrimin e policisë, demonstruesit janë shpërndarë në rrugicat përreth. Deri në momentin e raportimit, nuk kishte të dhëna se ndërhyrja kishte përfunduar me ndalimin e ndonjë protestuesi.
Operacioni erdhi pas disa orësh përplasjesh dhe zhvendosjesh të turmës në pjesë të ndryshme të kryeqytetit.
Protesta vijon në ditën e 12-të të mobilizimit studentor
Demonstrata e kësaj të shtune zhvillohet në ditën e 12-të të mobilizimit të studentëve dhe të rinjve kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama. Pjesëmarrësit kanë vijuar të qëndrojnë në rrugë edhe pas ndërhyrjeve policore, duke u rigrupuar në zona të ndryshme të qytetit.
Ndryshe nga ditët e fundit, kur situata ishte karakterizuar nga më pak përplasje, protesta e sotme është shoqëruar me përdorim të gazit lotsjellës, ujit me presion, hedhje fishekzjarrësh dhe raportime për molotovë.
Marshimet e njëpasnjëshme dhe shpërndarja e protestuesve në disa akse kanë vështirësuar qarkullimin në Tiranë, ndërsa mbetet për t’u parë se si do të vijojë situata gjatë orëve në vazhdim.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



