Tiranë, një tjetër goditje nga “mafia e betonit”
Në brigjet e Liqenit Artificial, aty ku dikur shëtitja e mëngjesit dhe hapësira e gjelbër ishin një nga simbolet e Tiranës, buldozerët kanë nisur të hapin themelet për një projekt të përmasave gjigante. Sipas njoftimeve mediatike, në këtë zonë po përgatitet ndërtimi i një kulle 58-katëshe, duke ngritur një tjetër mur betoni përballë qytetarëve dhe natyrës.
Fotot e shpërndara tregojnë makineritë e rënda teksa hapin themelet, ndërsa banorët shohin me shqetësim zhdukjen e një prej hapësirave të fundit të lira rreth liqenit. Projekti lidhet me emrin e biznesmenit Bashkim Ulaj, një nga figurat më të debatueshme në zhvillimet urbanistike të kryeqytetit.
Këshilli Kombëtar i Territorit, ka miratuar ndërtimin e një kulle 58-katëshe në zonën e digës së Liqenit Artificial të Tiranës duke prishur parkimin, ngjitur me kullat legjendare po të njëjtit oligark. Vendimi u mor gjatë mbledhjes së 25 qershorit 2025, ku u dhanë 40 leje ndërtimi, por leja më e madhe dhe më e diskutueshme i është dhënë oligarkut Bashkim Ulaj.
Në dokumentacion, objekti figuron si “Strukturë akomoduese me 58 kate mbi tokë dhe 6 kate nëntokë”, me adresë në rrugën “Llazar Pulluqi”, në juridiksionin e Bashkisë Tiranë.
Zhvillues i projektit është shoqëria “Aba Tower” sh.p.k., e administruar nga Artila Ulaj bashkëshortja e oligarkut. Aksionerë të saj janë “Aba Hospitality” sh.p.k. dhe vetë Bashkim Ulaj, ndërsa edhe “Aba Hospitality” zotërohet prej tij, me qendër në “ABA Business Center”.
Projekti parashikon që kulla të ngrihet në vijën e parë pranë digës së Liqenit Artificial, duke ofruar një panoramë të plotë mbi hapësirën ujore dhe zonën përreth.
Tirana e dorëzuar
Ky është vetëm një episod i radhës në një histori ku oligarkët e ndërtimit kanë marrë peng planifikimin urban. Tirana po shndërrohet me shpejtësi në një metropol kulla gjigante, ndërsa interesat e publikut, hapësirat e gjelbra dhe standardet e mjedisit shtyhen gjithnjë e më tej. Në vend që të mbrohet peizazhi dhe mirëqenia e qytetarëve, politika duket se i ka dorëzuar çelësat e qytetit mafies së betonit.
Kjo kullë e re, nëse realizohet, nuk është thjesht një ndërtesë tjetër: është simbol i një modeli zhvillimi ku fitimi privat mbizotëron mbi interesin publik dhe ku Tirana humb çdo ditë pak nga fryma e saj.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



