Tjetër goditje nga Uashingtoni për Ramën, një tjetër kongresmen ngre zërin për shqiptarët
Pas reagimit të kongresmenit amerikan Joe Wilson, edhe ligjvënësi Robert Aderholt ka ngritur shqetësimin për situatën e krijuar në Shqipëri, ku protestat kundër qeverisë janë shoqëruar me përplasje mes demonstruesve dhe policisë.
Aderholt ka kërkuar që autoritetet shqiptare të garantojnë të drejtën e qytetarëve për të protestuar paqësisht, ndërsa u ka bërë thirrje të gjitha palëve të shmangin dhunën. Në qëndrimin e tij, kongresmeni vë theksin te sundimi i ligjit, përgjegjshmëria e institucioneve dhe liria e shprehjes.
Duke iu referuar Shqipërisë si aleate të Shteteve të Bashkuara në NATO, ai nënvizon se qytetarët duhet të kenë mundësi të shprehin lirshëm pakënaqësitë dhe qëndrimet e tyre.
“Jam thellësisht i shqetësuar për përshkallëzimin e trazirave në Shqipëri, aleate e NATO-s. Populli shqiptar meriton sundimin e ligjit, institucione të përgjegjshme dhe lirinë për të shprehur zërin e tij. Të gjitha palët duhet të refuzojnë dhunën, ndërsa qeveria duhet të respektojë të drejtat e protestuesve paqësorë. Të rinjtë shqiptarë meritojnë të kenë zërin e tyre në përcaktimin e së ardhmes së vendit të tyre”, deklaron Aderholt.
Një pjesë e rëndësishme e mesazhit të tij u kushtohet të rinjve, të cilët kanë qenë ndër zërat kryesorë të protestave të ditëve të fundit. Sipas kongresmenit, ata duhet të dëgjohen dhe të kenë rol në përcaktimin e drejtimit që do të marrë Shqipëria në të ardhmen.
Reagimi i dytë nga Kongresi amerikan për protestat në Shqipëri
Qëndrimi i Aderholt vjen pas deklaratës së Joe Wilson, i cili gjithashtu ka kërkuar ndalimin e dhunës ndaj protestuesve. Dy reagimet vijnë në një moment të tensionuar politik, ndërsa demonstratat në Tiranë kanë vijuar për pesë ditë radhazi.
Përplasjet janë shoqëruar me përdorimin e gazit lotsjellës dhe ujit me presion nga policia, hedhjen e mjeteve piroteknike dhe koktejeve Molotov nga protestuesit, si dhe raportime për të lënduar e të shoqëruar në komisariate.
Deklarata e Aderholt i shton një tjetër reagim nga Uashingtoni debatit mbi mënyrën se si po menaxhohen protestat në Shqipëri, duke vënë në qendër respektimin e të drejtave themelore dhe përgjegjësinë e institucioneve.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



