Tom Doshi falënderon 50 mijë votuesit e PSD: Pavarësisht të gjithë sfidave, ne ia dolëm dhe misioni vazhdon

Kreu i Partisë Socialdemokrate, Tom Doshi, ka reaguar pas përfundimit të zgjedhjeve të 11 majit, ku PSD arriti të sigurojë 3 mandate deputetësh. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Doshi ka falënderuar 50 mijë shqiptarët që votuan për partinë e tij, duke shprehur mirënjohje të veçantë për qytetarët nga të gjitha qarqet e vendit dhe diaspora.

“Ju jeni forca jonë dhe arsyeja pse vazhdojmë të ecim përpara, mbi të gjitha për të ba ma t’mirën për ju,” shkruan Doshi, duke vlerësuar angazhimin e anëtarëve dhe aktivistëve vullnetarë që, sipas tij, kontribuan në këtë rezultat.

Ai u zotua se PSD do të punojë “pa u lodhur e pa u ndalur” për të përmbushur kontratën me shtresat në nevojë dhe me ata që “kanë nevojë të dëgjohen e të përkrahen”.

Një falënderim i veçantë iu drejtua votuesve besnikë në Shkodër, Malësi e Madhe, Pukë, Fushë Arrëz dhe Vau i Dejës, të cilët Doshi i cilëson si bazën më të fortë të mbështetjes së tij politike.

“Misioni vazhdon!” – përfundon ai mesazhin.

Postimi i plotë:

Sot dua të falenderoj nga zemra 50 mijë shqiptarët, nga gjithë qarqet e vendit, Shkodër, Kukës, Tiranë, Korçë, Fier, Durrës, Elbasan, Lezhë, Dibër, Vlorë, Berat, Gjirokastër e Diasporë të cilët na besuan dhe votuan. Ju jeni forca jonë dhe arsyeja pse vazhdojmë të ecim përpara, mbi të gjitha për të ba ma t’mirën për ju.
Pavarësisht tan sfidave ne ia dolëm, ne ia dolëm me 50 mijë vota, me një numër të jashtëzakonshëm anëtarësh dhe aktivistësh vullnetarë, dhe me 3 deputetë të legjislaturës së ardhshme të cilët do jenë zëri juaj në Parlament!
Partia Socialdemokrate dhe unë do punojmë pa u lodhun e pa u ndalun për ta bërë realitet kontratën tonë socialdemokrate, kontrarën tonë me votuesit, me shtresat në nevojë, me njerëzit e vujtun, me ata që kanë nevojë të dëgjohen e të përkrahen!
Një falenderim i veçantë i shkon votuesve të mi besnikë në Shkodër, Vaun e Dejës, Malësinë e Madhe, Pukë e Fushë Arrëz. Besnikeria që kemi ndaj njani tjetrit asht po aq e palëkundun sa dashuria për familjen e besimi në Zot.
Shkodra, Malësia e Madhe, veriu do jenë tan jetën shtëpia jeme. E gjithë Shqipëria ashtë shtëpia jonë, ku socialdemokratët kanë gjetun jo vetëm përkrahje por kanë marrë respektin që meritojnë.
Misioni vazhdon!
I juaji,
Tom Doshi

Publikuar nga Publik Media