Transformimi i Policisë së Shtetit, Hita: Siguria, prioritet absolut

Facebook
X
WhatsApp
Telegram

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, deklaroi se institucioni që ai drejton po kalon një fazë të thellë modernizimi dhe transformimi, me fokus rritjen e profesionalizmit, transparencës dhe besimit të qytetarëve.

Gjatë fjalës së mbajtur në Samitin e Diasporës, në panelin mbi migracionin dhe politikat e riatdhesimit, Hita theksoi se Policia e Shtetit synon të jetë një shërbim në funksion të ligjit, qytetarëve dhe bashkëkombasve brenda dhe jashtë vendit, por edhe për çdo të huaj që viziton Shqipërinë.

Ai nënvizoi se investimet në teknologji, rritja e burimeve njerëzore dhe bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtarë janë shtyllat kryesore të këtij transformimi. Sipas tij, përmirësimet janë reflektuar edhe në pikat e kalimit kufitar, ku janë shtuar kapacitetet dhe është rritur cilësia e shërbimit ndaj qytetarëve dhe turistëve.

Një tjetër fokus i rëndësishëm mbetet policimi në komunitet, me qëllim afrimin më të madh me qytetarët dhe adresimin e nevojave të tyre, veçanërisht për kategoritë në nevojë.

Në prag të sezonit turistik, drejtori i përgjithshëm bëri të ditur se është rritur ndjeshëm prania e policisë në zonat bregdetare dhe turistike, për të garantuar rend dhe siguri në kushtet e flukseve të larta të vizitorëve. Ai theksoi se Shqipëria po përballet me një rritje të ndjeshme të turizmit, çka kërkon menaxhim efikas dhe koordinim institucional.

Sa i përket migracionit, Hita u ndal te masat për parandalimin e flukseve të paligjshme, kryesisht nga Greqia drejt vendit tonë, me destinacion vendet e Bashkimit Evropian. Ai bëri të ditur se janë goditur disa rrjete të kontrabandimit të emigrantëve, duke arrestuar organizatorë dhe transportues, si shqiptarë ashtu edhe të huaj.

Një shembull konkret bashkëpunimi u përmend ai me Mbretërinë e Bashkuar, ku sipas tij është ulur ndjeshëm numri i personave që tentojnë të hyjnë ilegalisht apo të përdorin Shqipërinë si vend tranzit.

Duke u ndalur te siguria, Hita deklaroi se ajo mbetet prioritet absolut dhe një garanci për qytetarët, diasporën dhe turistët. Ai theksoi se nuk është regjistruar asnjë ngjarje e rëndë kriminale ndaj turistëve, ndërsa janë evidentuar qindra raste ndihme ndaj tyre nga policia dhe qytetarët.

Në përfundim, ai siguroi se Policia e Shtetit do të vijojë të punojë me integritet dhe profesionalizëm për një Shqipëri më të sigurt, më të besueshme dhe më mikpritëse.

Fjala e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skënder Hita, mbajtur sot gjatë Samitit të Diasporës 🦅🇦🇱, në panelin për “Migracionin dhe politikat e riatdhesimit”.

Është një kënaqësi e veçantë të jem sot mes jush, në një takim që na bashkon rreth një vlere të përbashkët, lidhjes së fortë me Shqipërinë.

Policia e Shtetit ka hyrë në një fazë të re modernizimi dhe transformimi, duke synuar të jetë një institucion sa më profesional, transparent dhe i besueshëm për çdo qytetar, brenda dhe jashtë vendit.

Qasja jonë sot është e qartë,
Policia si shërbim, në shërbim të ligjit, qytetarëve, bashkëkombasve tanë të diasporës, por edhe për çdo shtetas të huaj që viziton vendin tonë.

Investimet në teknologji, rritja e kapaciteteve në burime njerëzore dhe bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtarë janë shtyllat mbi të cilat po ndërtojmë këtë transformim.

Policia e Shtetit është një nga kontaktet dhe impaktet e para për këdo që hyn në Shqipëri, qoftë turist, investitor apo pjesë e diasporës.

Për këtë arsye, kemi përmirësuar kushtet në pikat e kalimit, i kemi pajisur ato me teknologji bashkëkohore, kemi trajnuar punonjësit e Policisë dhe vijojmë çdo ditë për të përmirësuar më tej impaktin dhe vlerësimin që vizitorët, turistët dhe të gjithë qytetarët që përdorin pikat e kalimit krijojnë për Policinë e Shtetit dhe, rrjedhimisht, edhe për vendin tonë.

Gjithashtu, kemi forcuar policimin në komunitet, duke qenë më pranë qytetarëve dhe më të ndjeshëm ndaj nevojave të tyre, veçanërisht ndaj kategorive më në nevojë.
Siguria për ta nuk është vetëm detyrim ligjor, por edhe përgjegjësi morale.

Një vëmendje e veçantë i është kushtuar sezonit turistik, duke rritur prezencën policore në zonat bregdetare dhe turistike, për të garantuar rend, siguri dhe një eksperiencë pozitive për çdo vizitor.

Shqipëria sot po përjeton flukse të larta turistike dhe kjo kërkon menaxhim profesional, reagim të shpejtë dhe koordinim të plotë institucional.

Në këtë kuadër, Policia e Shtetit ka rritur kapacitetet për menaxhimin e flukseve, qoftë në kufij, në akse rrugore apo në qendrat turistike, si dhe për përballimin me efikasitet të çdo ngjarjeje që mund të cenojë sigurinë publike.

Ndërkohë, Policia e Shtetit, veçanërisht strukturat e Policisë Kufitare, janë angazhuar maksimalisht për parandalimin dhe menaxhimin e flukseve migratore, kryesisht nga shteti grek në drejtim të vendit tonë, me destinacion vendet e Bashkimit Evropian.

Po në këtë drejtim, janë goditur rrjetet e kontrabandimit të emigrantëve të paligjshëm, organizatorët dhe transportuesit, shtetas shqiptarë, por edhe të huaj, pjesë e këtyre rrjeteve.

Kemi bashkëpunuar ngushtësisht me partnerët për të parandaluar trafiqet e paligjshme, përfshirë këtu edhe kalimet e paligjshme të kufirit dhe dhënien e ndihmës kundrejt përfitimit për kalim të paligjshëm të kufirit.

Në këtë kuadër, dua të përmend një nga rastet e suksesshme të bashkëpunimit, atë me Mbretërinë e Bashkuar, ku kemi ulur në mënyrë drastike numrin e personave që tentonin të hynin në mënyrë të paligjshme në Mbretërinë e Bashkuar, si dhe të atyre që tentonin të përdornin Shqipërinë si vend tranzit.

Të nderuar pjesëmarrës,

Siguria mbetet prioriteti ynë absolut.

Një siguri e garantuar jo vetëm për qytetarët që jetojnë në Shqipëri, por edhe për ju, bashkatdhetarët tanë që riktheheni çdo vit, si dhe për të gjithë miqtë që zgjedhin vendin tonë.

Siguria është pasaporta e Policisë së Shtetit për miliona turistë dhe vizitorë.

Me kënaqësi deklaroj se asnjë ngjarje e rëndë kriminale nuk është regjistruar ndaj turistëve.

Përkundrazi, janë evidentuar qindra raste të dhënies së ndihmës për turistët në nevojë, për shkaqe të ndryshme.

Ajo që vlen më shumë në këto raste nuk është vetëm angazhimi i Policisë dhe i institucioneve të tjera, pasi është detyrim i tyre, por edhe përfshirja e qytetarëve, e banorëve të zonave ku turistët kanë kërkuar ndihmë, pasi kanë humbur rrugën apo janë dëmtuar si pasojë e terrenit. Kjo është një tjetër vlerë e shtuar e shqiptarisë.

Së fundi, dua t’ju siguroj se Policia e Shtetit do të vazhdojë të jetë në shërbim, me integritet dhe profesionalizëm, për të ndërtuar një Shqipëri më të sigurt, më të besueshme dhe më mikpritëse.

Ju faleminderit!

Publikuar nga Publik Media