Transparenca e financimeve: Rasti i Adriatik Lapajt dhe “Shqipëria Bëhet”

Naim Noka

Në fillim dua të shpreh simpatinë dhe mbështetjen time jo vetëm për Adriatik Lapaj, drejtuesi i lëvizjes “Shqipëria Bëhet”,  por edhe për Agron Shehajn e “Mundësia”, Qorin e “Lëvizja Bashkë”, Shabanin e “Nisma Thurje” , Kreshnik Osmanin e ” Levizja Atdheu”  Altin Goxhajn e “ShpresON” dhe të gjitha partitë e reja që kërkojnë të sfidojnë establishmentin e vjetër politik të  tre dekadave. Por ndryshe nga Shehaj dhe levizjet e tjera Adriatik Lapaj ka tërhequr vëmendjen e opinionit publik përmes një turi ndërkombëtar takimesh dhe zgjerimit të strukturave të tij në Shqipëri.
Aktivitetet e tij përfshijnë takime jo vetëm në Shqipëri por edhe me komunitete shqiptare në Gjermani, Itali dhe SHBA. Lapaj ashtu si Shehaj ka  hapur  zyra në disa qytete të Shqipërisë. Megjithatë, pyetja që ngre  unë dhe çdo qytetar është: nga vijnë fondet që mbështesin këto aktivitete?

Shpenzimet dhe dyshimet mbi burimin e tyre

Sipas analizave mediatike, vetëm organizimi i një takimi jashtë Shqipërisë përfshin shpenzime të mëdha, duke përfshirë bileta avioni, akomodim, ushqim, marrjen me qira të sallave, dhe logjistikën teknike. Për shembull:

•Kostoja për një takim në Düsseldorf mund të variojë nga 10,000 deri në 20,000 euro.

•Takimet në Itali dhe SHBA mund të jenë edhe më të kushtueshme, duke përfshirë fluturimet ndërkontinentale dhe shpenzime të tjera të logjistikës.

Po kështu, hapja dhe funksionimi i zyrave të reja në Shqipëri, përveç organizimit të takimeve në disa qytete, kërkon shuma të konsiderueshme parash. Në një situatë kur financimi i partive dhe lëvizjeve politike në Shqipëri është shpesh i paqartë, natyra e financimit të veprimtarive të Lapajt mbetet një pikëpyetje.

Burimet e mundshme të financimit

1.Donacione nga individë dhe bizneset: Lapaj mund të mbështetet nga shqiptarë brenda dhe jashtë vendit, të cilët shohin në lëvizjen e tij një shpresë të re politike. Por në mungesë të një raporti transparent për donatorët, këto mbeten spekulime.

2.Bizneset private: Një pjesë e mediave sugjerojnë se financimi mund të vijë nga biznese që kërkojnë përfitime politike në të ardhmen. Në këtë kontekst, shqetësimi për lidhjet e mundshme me figura si Erion Veliaj apo qarqe të afërta me pushtetin aktual, meriton një përgjigje  të plotë.

3.Të ardhura personale: Aktivitetet e Lapajt si avokat dhe aktivist nuk duken të mjaftueshme për të mbuluar këto shpenzime të konsiderueshme. Kjo e bën edhe më të domosdoshme një transparencë më të madhe mbi burimin e fondeve.

4.Mbështetje nga pushteti aktual: Kritikët sugjerojnë se lëvizja mund të jetë pjesë e një strategjie të mbështetur nga qeveria për të fragmentuar votuesit e pakënaqur. Nëse kjo është e vërtetë, do të ishte  shembulli më i keq dhe shumë shqetësues i manipulimit të demokracisë.

Pse është transparenca e rëndësishme?

Transparenca është një kriter thelbësor për çdo lëvizje që synon të sjellë ndryshim politik. Në një vend si Shqipëria, ku korrupsioni dhe keqpërdorimi i fondeve publike  që i ka bërë hapur dhe i bën hapur dhe në mënyrë arrogante  Rama por edhe Berisha kur ishte në pushtet, janë probleme të vazhdueshme, që kanë prodhuar njeriun me autokrat në Ballkan si Rama, që tallet me  superfuqinë e pushtetit që ka prodhuar me para, banda dhe  korrupsion. Ndaj  unë si qytetarët e tjerë  kam të drejtë të mësoj

•Kush e financon Lapajn?

•A janë këto fonde të ligjshme?

•A ka lidhje mes financimeve dhe interesave të pushtetit aktual apo biznesit?

Mungesa e një deklarimi të qartë financiar rrezikon të dëmtojë besueshmërinë e lëvizjes së tij, duke e vendosur atë në të njëjtin këndvështrim si aktorët politikë (psh Rama) të cilët ai pretendon të sfidojë.

Çfarë duhet të bëjë Lapaj dhe partitë e reja?

1.Deklarim publik i fondeve: Adriatik Lapaj duhet të publikojë një raport të detajuar mbi burimin e financimeve të tij, duke përfshirë donacionet dhe shpenzimet.

2.Hetim nga institucionet: KQZ dhe SPAK duhet të hetojnë nëse financimi i lëvizjes “Shqipëria Bëhet” është në përputhje me ligjin.

3.Rritja e transparencës në politikë: Ky rast duhet të shërbejë si një pikënisje për të vendosur standarde më të larta transparence për të gjitha partitë dhe lëvizjet politike në Shqipëri.

Adriatik Lapaj ka krijuar një profil publik si një figurë ndryshe në politikë. Por për të qenë një alternativë e besueshme, ai duhet të ndjekë standarde më të larta transparence dhe llogaridhënieje se ato që janë praktikuar nga establishmenti aktual. Në të kundërt, mbetet rreziku që “Shqipëria Bëhet” të perceptohet si një tjetër projekt politik i lindur nga mungesa e sinqeritetit dhe interesat e fshehta.

Publikuar nga Publik Media