E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Tregu i zi gllabëron biletat e sfidës Shqipëri-Angli
Lajme

Tregu i zi gllabëron biletat e sfidës Shqipëri-Angli

Shqipëria po hyn në javët vendimtare të eliminatoreve, ku kuqezinjtë do të luajnë dy ndeshjet e fundit të grupit që do të përcaktojnë fatin e tyre në rrugëtimin drejt “Botërorit”. Fillimisht, më 13 nëntor, skuadra e trajnerit Sylvinho do të përballet në transfertë me Andorrën, ndërsa më 16 nëntor pritet sfida më e shumëpritur, ajo ndaj Anglisë në stadiumin “Air Albania”.

Por ndërsa emocionet sportive rriten, një problem tjetër po prek tifozët shqiptarë, gllabërimi i biletave nga tregu i zi.

Mbi 100 mijë aplikime, pak fitues dhe tregu i zi lulëzon

Interesimi për ndeshjen ndaj Anglisë ka qenë jashtëzakonisht i lartë. Mbi 100 mijë tifozë kanë aplikuar për bileta, dhe çdo person mund të aplikonte deri në katër bileta. Për të përzgjedhur fituesit, FSHF përdori një shorteu elektronik, por kjo mënyrë ndarjeje ka shkaktuar shumë pakënaqësi dhe polemika në opinionin sportiv.

Në të njëjtën kohë, tregu i zi për biletat po lulëzon me ritme të frikshme. Shumë persona nuk synojnë të ndjekin ndeshjen, por të shesin biletat me çmime tre ose katërfish më të larta. Një biletë që zyrtarisht kushton 2500 lekë, në tregun e zi ofrohet deri në 10.000 lekë. Agjenci turistike dhe shitës të paligjshëm përdorin këtë kërkesë të madhe për përfitime të jashtëligjshme, duke privuar tifozët e vërtetë nga mundësia për të qenë pranë skuadrës.

Tifozë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe diaspora shqiptare në Europë shprehin çdo ditë pakënaqësinë e tyre në rrjete sociale, duke akuzuar FSHF-në për mungesë transparence dhe menaxhim të dobët të shpërndarjes.

Përçarja me ultrasit

Një tjetër problem i madh është marrëdhënia e tensionuar mes FSHF-së dhe tifogrupimeve zyrtare, si Tifozat Kuqezi, Illyrian Elite, Ballistët dhe Plisat. Këto grupe kanë qenë shtylla kryesore e atmosferës në çdo ndeshje, duke e ndjekur skuadrën në çdo cep të Europës. Por prej disa kohësh, mungesa e tyre në shkallët e “Air Albania” është e dukshme.

Përçarja nisi që në ndeshjen kundër Serbisë, kur ultrasit mbetën pa bileta të dedikuara, duke shkaktuar përplasje dhe bojkot. FSHF vendosi të mos krijonte sektorë të veçantë për ultrasit, gjë që u konsiderua shkelje e traditës dhe mungesë respekti për tifozët më besnikë. Si pasojë, grupet kanë vendosur të bojkotojnë ndeshjet e Kombëtares, dhe pritet që e njëjta situatë të përsëritet edhe ndaj Anglisë, ku tribuna do të mbushet kryesisht me fitues të shortit dhe personazhe publikë.

Skenari sportiv: Dy ndeshjet vendimtare

Nga ana sportive, ndeshja ndaj Anglisë ka peshë të madhe për ecurinë e Shqipërisë në grup. Kuqezinjtë e Sylvinhos ndodhen në një pozitë që mund t’u sigurojë vendin e dytë, i cili çon në “Play Off” për Botërorin.

Skenari më i favorshëm për Shqipërinë është që Anglia të mposhtë Serbinë në Londër, ndërsa Shqipëria të fitojë në transfertë ndaj Andorrës. Një kombinim i tillë do ta siguronte matematikisht kualifikimin, duke e kthyer sfidën e 16 nëntorit në një festë kombëtare.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.