Tri vrasje brenda ditës, por “rreziku më i madh” mbetet skuterët
E marta në Shqipëri nisi “qetësisht”, me patrulla policie që masnin shpejtësinë e monopatinave dhe skutereve elektrike nëpër rrugë sepse, siç dihet, rreziku më i madh për jetën publike janë djemtë e vajzat që shkojnë në punë me bateri, jo ata që dalin me thikë.
Por ndërsa monopatinat po ndaloheshin me krenari institucionale, në Durrës, një 25-vjeçar vrau babain e tij me thikën e bukës. Ngjarja ndodhi në Shkallnur, ku viktima 69-vjeçare ndërroi jetë gjatë rrugës për në spital. Autori, me probleme të shëndetit mendor, u kap dy orë më vonë.
Në Tiranë, ndërkohë, një debat në një lokal në zonën e Komunës së Parisit përfundoi me një tjetër tragjedi: picieri Filip Shehu goditi për vdekje kolegun e tij, kuzhinierin Indrit Ismaillari. Tre plagë me thikë, një jetë e shuar dhe një qytet që vazhdon rutinën, sepse “në fokus janë monopatinat”.
Dhe si për ta përmbyllur “ditën normale”, edhe Berati nuk mbeti pas. Pranë kalasë, 63-vjeçari Kristo Mema, me precedentë për vrasje në Greqi, goditi për vdekje një 42-vjeçar pas një zënke për… kalin. Po, për kalin. Autori u largua dhe është ende në kërkim.
Tre qytete, tre viktima, tre histori që do të harrohen brenda 24 orëve. Por mos u shqetësoni: monopatinat janë në rrugën drejt zhdukjes. Rrugët janë më të sigurta për aq kohë sa nuk ecën as me rrota, as me kuaj, dhe ndoshta as me shpresë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



