Administrata Trump ka paraqitur një propozim për marrëveshje tregtare ndaj Bashkimit Evropian, që parashikon tarifë fikse 10% për të gjitha produktet evropiane, me përjashtime për sektorë të ndjeshëm si pijet alkoolike, raportoi Politico, duke cituar një diplomat evropian dhe një zyrtar kombëtar.
Sipas këtij propozimi, tarifat do të qëndrojnë në këtë nivel, përveç për disa industri të veçanta, ndërkohë që diskutimet për marrëveshje përfundimtare tregtare vijojnë.
Administrata amerikane njoftoi të dielën se shtyn vendosjen e tarifave të reja deri më 1 gusht, duke lënë kohë për vendet që janë në bisedime me SHBA-në për marrëveshje të reja.
Ndërkohë, vendet që nuk arrijnë marrëveshje deri atëherë, do të përballen me tarifat që ishin planifikuar më 2 prill.
Dërgimi i njoftimeve zyrtare për vendosjen e tarifave nisi të hënën, duke përfshirë Korenë e Jugut dhe Japoninë, të cilat rrezikojnë tarifa 25% nëse nuk arrijnë marrëveshje deri më 1 gusht.
Komisioneri Evropian për Tregtinë, Maroš Šefčovič, është në komunikim të vazhdueshëm me Shtëpinë e Bardhë, pas një bisede telefonike mes presidentit Donald Trump dhe presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, të dielën.
Sipas diplomatëve, Šefčovič u ka bërë të ditur ambasadorëve të BE-së se nuk pritet që Komisioni të marrë zyrtarisht një prej letrave me tarifat e reja. Megjithatë, strukturimi i marrëveshjes mbetet i paqartë dhe gjithçka do të kërkojë miratimin përfundimtar të Trump.
Zyrtarët evropianë janë të shqetësuar pasi SHBA nuk ka dhënë garanci për përjashtime në industritë më të ndjeshme politikisht si automjetet, çeliku, alumini apo farmaceutikët, kërkesa që BE ka paraqitur si prioritet.
Sidoqoftë, vende si Franca, Italia dhe Irlanda mund të ndihen të kënaqura nëse vërtet përjashtohen sektori i aeronautikës dhe ai i pijeve alkoolike nga tarifat e reja.