E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Tuneli i Llogarasë, dëshmia e inxhinierit grek trondit Ballukun
Lajme

Tuneli i Llogarasë, dëshmia e inxhinierit grek trondit Ballukun

Inxhinieri grek Yannis Kirkinezis është personi që ka folur për orë të tëra në Prokurorinë e Posaçme (SPAK), duke dhënë shpjegime të detajuara mbi mënyrën se si kompania e tij arriti të siguronte kontratën me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë për mbikëqyrjen e punimeve të tunelit të Llogarasë në Orikum.

Sipas raportimit të gazetarit investigativ Elton Qyno, rrëfimi i Kirkinezisit, së bashku me komunikimet e gjetura në telefonat e ministres Belinda Balluku, ish-drejtorit të ARRSH-së Evis Berberi dhe Sekretares së Përgjithshme të Ministrisë Viola Haxhiademi, përbëjnë provat kryesore mbi të cilat po ngrihet akuza penale ndaj Ballukut dhe disa zyrtarëve të tjerë të lartë.

Kirkinezis ka qëndruar për më shumë se 6 orë në ambientet e SPAK, ku ka dhënë një dëshmi të detajuar. Për shkak të kohëzgjatjes, prokurori i çështjes Dritan Prençi ka ndërprerë marrjen në pyetje për ta vijuar ditën pasuese.

Burime të gazetarit Elton Qyno bëjnë me dije se për shkak të kohës së gjatë të qëndrimit të inxhinierit në SPAK, është vënë në dijeni edhe Ambasada Greke në Tiranë, e cila është informuar se shtetasi grek po merrej në pyetje vetëm si person që kishte dijeni mbi rrethanat e ngjarjes, dhe jo si person nën hetim.

Sipas të dhënave të siguruara nga Qyno, Kirkinezis ka bashkëpunuar me hetuesit e BKH-së dhe me prokurorin Prençi, duke treguar në detaje mënyrën se si ai dhe Valter Begaj, administrator i kompanisë “Net-Group”, arritën të fitonin kontratën 2 milionë euro për supervizimin e punimeve të tunelit të Llogarasë.

Begaj, i cili aktualisht ndodhet në burg, njihej si njeri i afërt me ish-drejtorin e ARRSH-së, Evis Berberi, edhe ky i arrestuar për të njëjtën çështje.

Gjatë dëshmisë së tij, Kirkinezis ka sqaruar se është me profesion inxhinier dhe se në Shqipëri administron degën e kompanisë “Hill International N.V.”, me seli në Amsterdam. Përfaqësues ligjor i kësaj kompanie është gjithashtu shtetasi grek Emmanouil Sigalas.

Ai ka treguar se kompania është regjistruar në Shqipëri më 4 qershor 2019, dhe kontratën e parë publike e ka fituar me Fondin Shqiptar të Zhvillimit. Vetëm një muaj më vonë, kompania e tij arriti të fitojë tenderin 2 milionë euro të hapur nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, në bashkëpunim me “Net-Group” të Valter Begajt.

Sipas dëshmisë së inxhinierit, tenderi për supervizimin e punimeve është hapur më 25 nëntor 2021 nga Sekretaria e Ministrisë, Viola Haxhiademi, me një fond limit prej 1 miliard e 947 milionë lekësh dhe me afat realizimi 34 muaj.

Nga dokumentet zyrtare të sekuestruara nga SPAK, rezulton se “Hill International N.V.” dhe “Net Group” kanë përfituar në total 1 miliard e 979 milionë lekë përmes 14 transaksioneve të kryera nga Ministria e Infrastrukturës — një shumë 32 milionë lekë më e lartë se ajo e parashikuar në kontratë.

Pagesat janë bërë në bazë të kontratës nr. 1537/3, të lidhur më 16 maj 2022, ku parashikoheshin shërbime inxhinierike për 13 situacione të mbikëqyrjes. Sipas të dhënave të gazetarit Elton Qyno, pagesa e parë është kryer në tetor 2022 në vlerën e 88 milionë lekëve, ndërsa e fundit më 24 janar 2025, me vlerë 55 milionë lekë.

Kjo kontratë, sipas burimeve pranë SPAK, dyshohet të jetë paracaktuar në mënyrë korruptive, ndaj është sekuestruar e gjithë praktika dokumentare që shoqëron procedurën tenderuese.

Gjithashtu, të dhëna komprometuese janë zbuluar në telefonat e sekuestruar të Evis Berberit dhe Viola Haxhiademit, të cilët janë tashmë nën hetim dhe pritet të përballen me akuza për korrupsion dhe shpërdorim detyre.

Ky hetim përbën dosjen nr. 2 ndaj ministres Belinda Balluku, e cila ka afat parashkrimi deri më 25 nëntor 2026. Aktualisht, Balluku është marrë e pandehur së bashku me pesë zyrtarë të tjerë për procedurat e ndërtimit të tunelit të Llogarasë, me një vlerë prej gati 180 milionë euro.

Por kjo nuk është e vetmja dosje ndaj saj. Sipas gazetarit Elton Qyno, SPAK ka hapur edhe tre hetime të tjera për ministren, që lidhen me:

  • hetimin pasuror,

  • kontratat për anijet gjenerator “Tigri 1” dhe “Tigri 2”,

  • si dhe hetimin për koncesionin e rrugës Thumanë–Kashar.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.