Tuneli po i zë brenda! Pas Ballukut, Gentian Gjyli paraqitet në SPAK
Hetimet për tenderin e Tunelit të Llogarasë vijojnë të thellohen. Kreu i Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH), Gentian Gjyli, është paraqitur paraditen e kësaj të hëne në Prokurorinë e Posaçme (SPAK), i shoqëruar nga avokati i tij mbrojtës.
Sipas burimeve nga organi i akuzës, Gjyli është thirrur për t’u njohur me akuzat që lidhen me procedurat e tenderit për ndërtimin e tunelit strategjik që lidh Dukatin me Palasën.
Zgjerohen hetimet për tenderin
Kjo paraqitje vjen vetëm disa ditë pasi zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, është marrë e pandehur nga SPAK për të njëjtën çështje, nën akuzën e “shkeljes së barazisë në tendera”.
Hetimet për projektin e Tunelit të Llogarasë po zhvillohen prej disa muajsh dhe përfshijnë zyrtarë të lartë të institucioneve publike, të cilët dyshohet se kanë pasur rol vendimtar në procesin e përzgjedhjes së kompanisë fituese.
Çështja pritet të marrë zhvillime të reja
Burime pranë hetimit bëjnë me dije se SPAK pritet të thërrasë edhe persona të tjerë për të dhënë dëshmi në vijim të procesit hetimor, ndërsa nuk përjashtohet mundësia që të ketë masa të reja sigurie ndaj zyrtarëve të përfshirë.
Tuneli i Llogarasë është një nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore të qeverisë shqiptare, me një vlerë që arrin në dhjetëra milionë euro, dhe ka qenë prej kohësh në qendër të debatit publik për mënyrën e realizimit dhe transparencën e procedurave.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco


