Udhëtime jashtë vendit në ‘lupë’, SPAK thellon hetimet për Erion Veliajn
Ndërsa përballet me gjykimin në Gjykatën e Posaçme (GJKKO) për 13 akuza penale dhe përpiqet të dalë nga paraburgimi, një tjetër linjë hetimore po intensifikohet ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj. Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka zgjeruar hetimet në kuadër të dosjes së njohur si “Veliaj 2”, duke verifikuar të gjitha udhëtimet e tij jashtë vendit gjatë viteve 2022-2023, si dhe shpenzimet përkatëse.
Sipas burimeve hetimore, nga dokumentacioni i sekuestruar në Bashkinë e Tiranës dhe të dhënat e sistemit TIMS, rezulton se Veliaj ka kryer mbi 100 udhëtime në destinacione të ndryshme ndërkombëtare përgjatë kësaj periudhe.
Një nga dyshimet kryesore lidhet me faktin se një pjesë e konsiderueshme e shpenzimeve për këto udhëtime nuk janë deklaruar në përputhje me kërkesat ligjore në deklaratat e pasurisë. Hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) po analizojnë në detaje burimin e financimit dhe përputhshmërinë me ligjin.
Gjithashtu, hetimet kanë nxjerrë në pah se gjatë periudhave kur Veliaj ndodhej jashtë Shqipërisë, në rrjetet sociale dhe kanalet zyrtare publikoheshin materiale që e shfaqnin atë në aktivitete zyrtare në Tiranë, si mbjellje pemësh apo inaugurime objektesh arsimore. Sipas hetuesve, këto pamje dyshohet se janë regjistruar më herët dhe janë publikuar më pas.
Zhvillimet e reja hetimore mund të çojnë në ngritjen e akuzave të tjera ndaj Veliajt, i cili ndodhet në paraburgim që prej 10 shkurtit 2025. Paralelisht, ai vijon të gjykohet në GJKKO së bashku me bashkëshorten dhe disa të pandehur të tjerë për çështje që lidhen me korrupsionin dhe shkeljet ligjore në ushtrimin e detyrës.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



