Ujërat e zeza derdhen në Shëtitore pranë plazhit publik në Sarandë
Në një prej zonave më të frekuentuara të Sarandës, vetëm pak metra larg plazhit publik dhe shëtitores bregdetare, vijon të konstatohet derdhja e ujërave të zeza në det, duke ngritur shqetësime serioze për ndotjen e mjedisit dhe sigurinë e pushuesve.
Problemi bëhet edhe më alarmant për faktin se infrastruktura e kanalizimeve dhe vetë shëtitorja janë realizuar si pjesë e një investimi të përfunduar vetëm gjashtë vite më parë. Megjithatë, pavarësisht këtij investimi, fenomeni vazhdon të shfaqet në mënyrë të përsëritur, duke u kthyer në një problem të përditshëm gjatë sezonit veror.
Banorët e zonës, pushuesit dhe përfaqësues të bizneseve turistike shprehen të shqetësuar për situatën, duke kërkuar reagim të menjëhershëm nga institucionet përgjegjëse. Sipas tyre, derdhja e ujërave të zeza jo vetëm që ndot vijën bregdetare, por përbën edhe një rrezik për shëndetin publik, ndërsa dëmton rëndë imazhin e Sarandës si një nga destinacionet më të vizituara turistike në vend.
Ata kërkojnë marrjen e masave urgjente për eliminimin e problemit, me qëllim garantimin e kushteve të sigurta për pushuesit dhe mbrojtjen e mjedisit në kulmin e sezonit turistik.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



