E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Ujësjellësi i Durrësit ‘mobilizohet’ për të ndihmuar Alabbarin
Lajme

Ujësjellësi i Durrësit ‘mobilizohet’ për të ndihmuar Alabbarin

Zhvillon tender 300 mijë euro për t’i bërë rrjetin e ujit dhe kanalet e ujërave të zeza

Institucionet shtetërore duket se janë vënë në shërbim të plotë të projektit Durrës Yachts & Marina, një nga nismat më të mëdha të zhvillimit në Durrës, ku synohet transformimi i zonës së Portit në një kompleks rezidencial dhe turistik me përmasa të mëdha.

Pas ndërhyrjeve të mëparshme të Fondit Shqiptar të Zhvillimit për projekte si mbushja e vijës bregdetare me rërë apo ideja për ndërtimin e një ishulli artificial, në skenë ka hyrë edhe Ujësjellës Kanalizime Durrës, duke ndërmarrë një tjetër hap që lidhet drejtpërdrejt me këtë investim.

Kompania publike ka hapur një tender për ndërtimin e rrjetit të furnizimit me ujë dhe kanalizimeve për Marinën, një projekt që parashikon realizimin e të gjithë infrastrukturës përkatëse – nga hapja e kanaleve, vendosja e tubacioneve, deri te lidhja me rrjetin ekzistues të qytetit.

Ujësjellësi i Durrësit “ndihmon” Alabbarin - Tender

Faksimile: Tenderi i hapur nga UKD për rrjetin e ujit dhe kanaleve në Marinën e Durrësit

Sipas dokumenteve të tenderit, fondi limit arrin në 28.888.000 lekë pa TVSH, ndërsa punimet parashikohet të përfundojnë brenda 3 muajve. Procedura është firmosur nga drejtuesi i institucionit, duke konfirmuar angazhimin e plotë të ndërmarrjes publike në këtë projekt.

Ujësjellësi i Durrësit “ndihmon” Alabbarin - Tender

Faksimile: Dokumentet shoqëruese të UKD për Marinën e Durrësit

Në dokumentacionin shoqërues theksohet se projekti i Marinës përfshin ndërtimin e objekteve rezidenciale, hapësirave rekreative dhe infrastrukturës mbështetëse, me një kapacitet të parashikuar prej rreth 20 mijë banorësh në fazën e parë dhe deri në 66 mijë në fazën përfundimtare.

Për këtë arsye, sipas UKD, është e domosdoshme ndërtimi i një sistemi të ri për furnizimin me ujë dhe shkarkimin e ujërave të zeza që në fazat e para të zhvillimit. Institucioni pranon se janë zhvilluar takime dhe inspektime në terren për të përcaktuar mënyrën e lidhjes me rrjetin ekzistues të qytetit.

Dokumentet tregojnë se projekti përfshin zgjidhje teknike të detajuara për dimensionimin e linjave të ujit dhe kanalizimeve, duke marrë në konsideratë kërkesën e pritshme të konsumatorëve dhe presionin në rrjet. Ndërkohë, ujërat e ndotur që do të gjenerohen në fazat fillestare do të shkarkohen në struktura ekzistuese, sipas rekomandimeve teknike.

Ujësjellësi i Durrësit “ndihmon” Alabbarin - Tender

Ujësjellësi i Durrësit “ndihmon” Alabbarin - Tender

Në foto: Kanalizimet e ujërave të pijshëm dhe të zeza në Durrës Marina që do ndërtohen nga shteti

Megjithatë, ky angazhim i gjerë i një institucioni publik për një projekt privat ngre pikëpyetje, sidomos në një kohë kur zona të tëra të qytetit përballen me mungesë investimesh bazike në ujësjellës dhe kanalizime. Në disa lagje të Durrësit, problemet me përmbytjet dhe mungesën e ujit të pijshëm mbeten ende të pazgjidhura, duke e bërë këtë prioritet të ri edhe më të debatueshëm.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.